
Ndodhej në Tiranë ditën e vrasjes së Fatbardh Licit? Gjoba e makinës nxjerr zbuluar të dashurën e Safet Bajrit

Eria Ago
TIRANË-E dashura e Safet Bajrit, Eria Ago ka mohuar akuzat e ngritura ndaj saj, duke thënë se nuk ka dijeni në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 10 gusht 2018 në Shkodër, ku u vra Fatbardh Lici. Ago ka deklaruar se gjatë kohës që ka ndodhur ngjarja, vrasja e Fatbardh Lici, ka qenë në Tiranë dhe se nuk ka qenë në Shkodër, si dhe se nuk e ka përdorur asnjëherë makinën e shtetasit Astmer Bilali.
Por në dosjen e SPAK, siguruar nga ZËRI rezulton e kundërta. Në dëshminë e saj Eria Ago nuk tregohet e sinqertë dhe lind dyshimi që ajo ka qenë në dijeni të ngjarjes që ka ndodhur. Kjo pasi makina tip “Mercedes Benz CL”, i bardhë dhe me targë ‘AA989TE’ e drejtuar nga Eria, ka marrë gjobë në Shkodër ditën e ngjarjes.
“Fakti që personat kanë kryer vrasjen provohet edhe nga mohimi që shtetësja Eria Ago ka patur në deklarimet e dhëna, ku nuk ka pranuar të ketë përdorur automjetin e personit nën hetim Safet Rustemi si dhe ka deklaruar se ka qenë në Tiranë, ditën e ngjarjes (ndërkohë që nga procesvrbali i kqyrjes së sistemit të gjobave provohet që ajo ka marrë gjoba, duke qenë në drejtim të këtij mjeti dhe referuar komunikimeve të kryera, rezulton se ajo ka qënë bashkë me personat nën hetim në Shkodër,“-thuhet në dosjen e SPAK.
Eria Ago akuzohet se ka transportuar nga Shkodra në Tiranë, Asmer Bilalin. Më 10 gusht të vitit 2018, Eria ka qenë në timonin e mjetit dhe ka ndihmuar në arratisjen e Astmer Bilalit, duke e sjellë nga Shkodra në Tiranë.
Ish-missi Ago është arrestuar më datë 26 shkurt, pasi Prokuroria e Posaçme e akuzon për “përkrahje të autorëve të krimit”, ndërkohë që më 21 shkurt të këtij viti Safet Bajri u arrestua nga SPAK, me akuzën se në bashkëpunim me Asmer Bilalin dhe kushëririn e tij të parë Behar Bajrin, se kanë organizuar dhe kanë kryer vrasjen e Licit, vëllait të Mustafa Licit dhe xhaxhait të Ibrahim, Muhamet dhe Hamza Licit./ZËRI