Ministri Hoxha konfirmon ‘furtunën’: Rrumbullaku dhe të tjerët dorëzojnë stafetën, kush do e drejtojë përkohësisht Policinë e Shtetit

Ministri Hoxha konfirmon ‘furtunën’: Rrumbullaku dhe të tjerët dorëzojnë stafetën, kush do e drejtojë përkohësisht Policinë e Shtetit

ervin hoxha

TIRANË- Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka konfirmuar ndryshimet në radhët e drejtuesve të policisë së shtetit, duke nisur nga Muhamet Rrumbullaku, i cili do të zëvendësohet përkohësisht nga vartësi i tij, Sokol Bizhga. 
Teksa fillimisht u ndal te marrja e detyrës së Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha tha se vendosja e dorës për t’u betuar mbi Kushtetutë ka qenë momenti më emocionues në karrierën e tij. Ai u ndal te ndryshimet që ka pësuar në dekadën e fundit struktura e policisë së shtetit, për të cilën tha se ka nevojë për një reformë të mëtejshme. Për këtë shkak për të gjitha pozicionet drejtuese në polici, do të hapet një konkurs, dhe në javët në vijim do të përzgjidhen edhe emrat e rinj në krye të strukturës.

Ervin Hoxha: Unë vij nga radhët tuaja, kam hyrë në moshë fare të re, dhe kam pasur nderin që të mësoj nga më të mirët e kësaj trupe. Kam qenë një dashamirës besnik që kam pasur mes jush një pjesë të mendjes dhe zemrës sime. E kam parë gjithë këtë trup në ditë shumë të këqija dhe të mira, përparimi i dekadës së fundit është i jashtëzakonshme, po të mendosh se ku kemi nisur 10 vite më parë.
Punonjësit e kësaj trupe bënin sa mundeshin, ishte koha kur rënia në detyrë e punonjësve ishte pjesë e punës sot, ndërkohë që vrasjet ndodhnin njëherë në 3 ditë. Sot ngjarjet kanë ndryshuar si dita me natën. Asnjë objektiv nuk është i pamundur për ne, ambicia jonë për policinë e 2030, mbështetet në ambicien tonë për rënien e kriminalitetit.
Dua të përgëzoj punën e deritanishme, mirënjohje për Muhamet Rrumbullakun, që e thelluan transformimin e policisë së shtetit. Sot është dita që ta kalojmë stafetën te të tjerë drejtues. Kam bindjen që ata që do të dorëzojnë stafetën, nuk do ta kursejnë dijen dhe përvojën e jashtëzakonshme që kanë pasur në këto vite. Unë u thirra në këtë detyrë, pa e menduar ndonjëherë se mund të isha ministër i brendshëm. Vendosja e detyrës në Kushtetutë ishte momenti më emocionues në karrierën time. Nuk e dyshoj që plot të tjerë mund të kishin kredenciale më të forta për të qenë në vendin tim, kjo bën që pesha e detyrës për mua të jetë më e rëndë. Deri në përzgjedhjen e drejtuesve të rinj në bazë të ligjit të ri për policinë e shtetit, në krye të këtij institucioni do të qëndrojë Sokol Bizhga.
Kryeministri Rama nga ana e tij, njoftoi në llogarinë e tij në Facebook se konkursi hapet në zbatim të ligjit të ri për Policinë e Shtetit dhe do të pasohet menjëherë nga procesi ligjor dhe meritokratik i ripërtëritjes së të gjithë skuadrës së drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit./ZËRI 
Burimi