Me një këmbë në SPAK! Kandidatët për deputetë që mandatin ua mban “peng” drejtësia

Me një këmbë në SPAK! Kandidatët për deputetë që mandatin ua mban “peng” drejtësia

Foto ilustruese

TIRANË- Gara për zgjedhjet parlamentare të 11 majit ka nisur! Deputetë në Kuvend, por edhe emra të rinj që i janë shtuar politikës, do të kërkojnë votat para qytetarëve për t’i përfaqësuar në sallë. Por disa prej tyre, teksa bëjnë fushatë, duhet të zgjidhin edhe problemet që kanë me drejtësinë. Dosjet që i kanë ende të hapura në SPAK, mund t’u kushtojnë mandatin në çdo moment. Një e rënë e çekanit që i shpall fajtor i bën automatikisht subjekte të ligjit të dekriminalizimit. Rrjedhimisht, s’ka karrierë dhe as mandat në Kuvend për të paktën 5 vite. 
ZËRI ka bërë një listë të emrave që aktualisht janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
I pari i kësaj liste është kryedemokrati Sali Berisha, i cili ndoshta ka edhe procesin më të gjatë në SPAK, është marrë i pandehur për dosjen “Partizani”. Berisha “shoqërohet” në listën e kandidatëve edhe nga dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, gjithashtu i pandehur për të njëjtën dosje.  
Ish-kryeministri Berisha ka mbi shpinë veprën penale të “korrupsionit pasiv” të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Ndërsa ndaj Jamarbër Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhjen me privatizimin e ish-klubit Sportiv Partizani. 
Nga burgu do të bëjë fushatë për një mandat edhe lideri tjetër i opozitës, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Brenda qelisë së paraburgimit të “313-ës”, Meta sfidon kolegët për të marrë një mandat, edhe pse është i vendosur në zonën e listës së hapur. Ish-presidenti i vendit akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por edhe pse në kushte të vështira për të bërë fushatë, Meta ka premtuar se do të fitojë, madje dhe do të sigurojë 2 mandate më shumë edhe për aleatët e Partisë Demokratike. 
Një tjetër eksponent i PD-së që më parë duhet të përballet me SPAK, më pas me votën e qytetarëve është deputeti Asllan Dogjani. Ndaj këtij të fundit është ngritur akuza për deklarim të rremë pasurie. Për momentin, dosja është kthyer në SPAK për hetime më të thelluara, por akuza nuk ka rënë. Me një akuzë mbi shpinë është edhe deputeti tjetër i PD-së, Qani Xhafa, i cili përballet me pasojat e një aksidenti që ka bërë 2 vite më parë. Ndaj tij është ngritur vepra penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e Prokuorisë së Posaçme për të gjykuar deputetin socialist Plarent Ndreca dhe 15 ish-zyrtarët e tjerë. Ata akuzohen për shkelje gjatë procedurave të prokurimit publik në vitin 2019. Ndreca akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Por jo vetëm nga demokratët! Një socialist, të cilit i cënohet një mandat i mundshëm është edhe Ndreca. Ky i fundit është pjesë e listës së kandidatëve të Tiranës akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim. 
Këto emra të paktën janë zyrtarë, ose ato që dimë publikisht deri më tani! Në të ardhmen kjo listë mund të shtohet me emra të rinj të politikës që janë parë jo pak herë që të ngjisin shkallët e SPAK. Ndër ta mund të përmendim Klotilda Bushkën dhe Belind Këlliçin që ende janë nën hetim, apo edhe shumë emra të tjerë që thjesht ndoshta nuk i dimë. Por derisa për ta të flasë drejtësia, do të prezumohen të pafajshëm./ZËRI
Burimi