Mblidhet Komisioni për Dezinformimin, opozita mungon, Braçe: Nuk e bëjmë dot këtë betejë pa mediat

Mblidhet Komisioni për Dezinformimin, opozita mungon, Braçe: Nuk e bëjmë dot këtë betejë pa mediat

Erion Brace dhe Lindita Nikolla

TIRANË- Është mbledhur sot për herë të parë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, komisioni kundër Dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja, nën drejtimin e socialistit Erion Braçe, ndërsa e pranishme ka qenë dhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Njësoj si në Komisionin Antikorrupsion, edhe në këtë për Dezinformimin opozita nuk është e pranishme, duke zgjedhur që të bojkotojë nismat e socialistëve. Braçe tha se në interes të këtij Komisioni është siguria kombëtare, ndërsa tha se ishte i keqardhur nga mungesa e opozitës në mbledhjen e parë.
“Do të marrim shembujt më të mirë nga BE dhe SHBA. Opozita duhet të jetë pjesë e rëndësishme e kësaj lufte. Unë dhe kolegët e mi kemi dhënë të gjithë kohën e mjaftueshme që opozita të njihet me fenomenin dhe ta pranojë atë.
Për të zbehur çdo lloj paragjykimi, objekti i punës nuk do të jetë individi. Çdo individ ka hapësirën e vet të mbështetur në ligj. Objekti i punës së këtij komisioni është interesi kombëtar dhe siguria kombëtare. Kjo betejë nuk bëhet pa median, media ka dy statuse kontributore dhe mbikëqyrëse e punës së këtij komisioni”, u shpreh Braçe në nisje të mbledhjes, ndërkohë që dhe kreu i grupit të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi shprehu keqardhjen për mungesën e opozitës.
“Më vjen keq që koleget e opozitës megjithë ftesën e vazhdueshme nuk kane shprehur gatishmërinë për të ardhur në komision”, u shpreh Çuçi.
ANËTARËT E PS NË KOMISION 
Erion Braçe (kryetar komisioni)
Bledi Çuçi
Mimi Kodheli
Pandeli Majko
Enslemvera Zake
Etilda Gjonaj
RENDI I DITËS
Komisioni Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”, 26 Qershor 2024
1. Konstituimi i Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.
2. Njohja me aktet që rregullojnë ngritjen dhe funksionimin e komisionit të posaçëm:
Vendim nr. 40, datë 11.04.2024, i Kuvendit “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.
Vendim nr. 52/2024, datë 06.06.2024, i Kuvendit “Për miratimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm të Kuvendit, ngritur me Vendimin nr. 40/2024, “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të mbikëqyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit””.
Urdhër nr. 350, datë 24.06.2024, i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, “Për ngritjen e njësisë mbështetëse pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.
3. Shqyrtimi dhe miratimi i Projektvendimit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar, “Për përfaqësimin e institucioneve të administratës publike, institucioneve të pavarura, si dhe agjencive ekzekutive ligjzbatuese, me përfaqësues/ekspertë me përvojë në fushat përkatëse, në përmbushje të qëllimit, objektit dhe fushëveprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar”.
4. Shqyrtimi dhe miratimi i Projektvendimit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar, “Për ftesë publike për bashkëpunim dhe ekspertizë nga SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe vende të tjera të interesuara, si dhe ekspertë vendas dhe/ose të SHBA-së, BE-së, NATO-s, me përvojë në fushat përkatëse, në përmbushje të qëllimit, objektit dhe fushëveprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar”.
5. Shqyrtimi dhe miratimi i Projektvendimit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar, “Për ftesë publike drejtuar organizatave të shoqërisë civile, instituteve, botës akademike vendase apo të huaj, për bashkëpunim dhe ekspertizë sipas qëllimit, objektit dhe fushëveprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar”.
6. Shqyrtimi dhe miratimi i Projektvendimit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar, “Për ftesë publike drejtuar organeve të medias audiovizive, medias së shkruar dhe asaj elektronike, për të kontribuar në përmbushje të qëllimit, objektit dhe fushëveprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar”.
/ZËRI 
Burimi