Mandati i “Himarës”/ Merret vendimi në KQZ! Celibashi: Të krijohet mundësia që Beleri të vijë në seancë

Mandati i “Himarës”/ Merret vendimi në KQZ! Celibashi: Të krijohet mundësia që Beleri të vijë në seancë

Ilirjan Celibashi

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur se kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri ka të drejtë që të jetë pjesë e seancës ku edhe do të diskutohet lidhur me fatin e mandatit të tij. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme, gjatë së cilës komisioneri Ilirjan Celibashi i ka dhënë të drejtë argumentave të dhëna nga avokatja e Belerit, Klodiana Gjyzari. Kjo e fundit kërkoi në emër të klientit të saj që të mos jepej një vendim për mandatin e Belerit, pa qenë edhe ky i fundit i pranishëm në sallë për të dhënë argumentat e tij.
“Kam një kërkesë për të lejuar në seancë të subjektit të Alfred Belerit, sipas nenit 88 të kodit të procedurave administrative, rezulton që ky subjekt nuk është njoftuar në lidhje me fillimin e procedurës dhe për këtë shkak, që kërkon që të dëgjohet në këtë proces, t’i jepet të dëgjohet duke qenë se është subjekt i lidhur drejtpërsëdrejti në lidhje me vendimmarrjen. T’i dërgohet kopja e dosjes administrative që të japë shpjegimet e tij dhe të merren parasysh në këtë procedurë sepse nuk mund të merret një vendim përfundimtar pa u dëgjuar Beleri,”- tha ajo.
Por edhe pse kërkesa e saj u refuzua nga përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Eridian Salinjani, sërish Celibashi i dha të drejtë përfaqësuesëve të Belerit duke shtyrë seancën e sotme. Sipas tij, duhet menduar një mënyrë që Beleri të marrë pjesë në seancë, gjë që lë të hapura vetëm dy mundësi: daljen e tij për vetëm disa orë nga burgu, ose pjesëmarrjen nëpërmjet platformave online nga ambientet ku aktualisht po vuan dënimin. Me këtë përfndim, seanca u mbyll për t’u shtyrë në një datë tjetër, kur vetëm një ditë më parë, administrata e KQZ konstatoi se Fredi Beleri nuk mund të ushtrojë këtë detyrë për shkak se është i dënuar me 2 vite burg me vendim të formës së prerë.
Në rast se Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk do të ketë një vlerësim ndryshe nga sa bën administrata e KQZ-së, atëherë do të duhet të shpallet vakanca dhe KQZ duhet të njoftojë presidentin, i cili brenda 45 ditësh nga marrja e vendimit do duhet të caktojë një datë për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës.
DISKUTIMET NË SALLË: 
Avokatja e Belerit: Bazuar në prokururën që ju cituat, unë paraqitura dhe kërkesën që të lejohet që të marri pjesë. Beleri dëshiron që të flasë para KQZ, ai është në pamundësi që të vijë vetë. Duhet informuar IEVP që të vijë në këtë gjykim administrativ.
Eridian Salianji: Besoj ky nuk është rasti i parë që vihet në gjykim administrativ. Si e gjykoni ju njoftimin për zotin Beleri? A keni pasur raste, njoftimi është si të gjthë procedurat e tjera që ka bërë ky komision?
Celibashi: Kemi bërë njoftimin për secilën palë të procesit. Diskutimi është sa legjitimitet ka kërkesa që Beleri të prezantojë argumentat e tij në këtë proces? Unë vlerësoj që zoti Beleri e ka të përligjur që ai t’i paraqesë pretendimet e veta drejtpërsëdrejti. Por duhet ta theksoj se jo domosdoshmërisht kërkon praninë e palës së interesuar. Por përsa kohë ajo palë e intereson, do të ishte e tepër të komentoja mbi arsyet apo motivet mbi këtë kërkesë. Lidhur me kohën nuk besoj se nuk kemi mundësi që ta realizojmë sot.
Eridian Salianji: Përderisa i interesuari…ne jemi në sallë, Beleri nuk ka punë tjetër, të njoftohet dhe të dalë. Avokati është këtu, thjesht të gjendet procedura sesi Beleri të vijë këtu. Ta mundësojmë këtë gjë. 
Celibashi: Edhe ne që kemi shumë punë, me këtë punë po merremi. Mund ta realizojmë ndoshta…që të mos vijë nga vendi i vuajtjes së dënimit, mund ta realizojmë edhe nëpërmjet një platëforme komunikimi elektronike. 
Avokatja e Belerit: Për mënyrën dhe procedurën është e drejta juaj që ta vendosi. Sa i përket shtyrjes, mendoj që sot është e pamundur për t’u zhvilluar, duhet lënë një datë tjetër. Ose të urdhërohet shoqërimi i tij në seancë, ose t’i krijohen kushtet brenda IEVP. Kolegu ndoshta nuk ka angazhime të tjera, por ne kemi dhe angazhime të tjera dhe e kemi të pamundur që të vazhdojmë sot seancën. Kolegu ka 4 ditë që i ka aktet. Na janë sjellë me email dje pasdite, i duhet edhe atij që t’i lexojë këto akte. 
Mandati i Belerit po diskutohet pasi vetëm pak ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Përfundimisht, Beleri do të duhet të vuajë 2 vite heqje lirie, edhe pse aktualisht është zgjedhur edhe si eurodeputet në Parlamentin Europian nën logon e partisë “Neodemokracia”, e drejtuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis. I zgjedhur nga votat e qytetarëve kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri është arrestuar që më datë 12 maj 2023. Ai akuzohej për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. Banorë të Himarës kanë thënë se atyre iu janë premtuar para, në këmbim të votës. Ai u prangos 48 orë para zgjedhjeve lokale të 14 majit./ZËRI
Burimi