Kush ishte Ismail Kadare, dashuria për letërsinë, jeta dhe veprat që la pas
ISMAIL KADARE
Është shuar në moshën 88-vjeçare shkrimtari i madh Ismail Kadare. Familjarët kanë njoftuar urgjencën orët e para të mëngjesit, por shkrimtari nuk është shpëtuar dot dhe ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale.
Kadare lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi me studime në Moskë për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Ai fitoi njohje ndërkombëtare që kur romani i tij “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” u botua në vitin 1963, kur Shqipëria qeverisej nga qeveria komuniste e diktatorit Enver Hoxha.
Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Kur u vendos regjimi komunist në Shqipëri ai ishte vetëm 8 vjeç. Shkollën fillore dhe të mesme e mbaroi në Gjirokastër. Në moshën 12 vjeçare u arrestua nën akuzën “falsifikues monedhash”, meqë gjatë lojës me shokun e tij kishin krijuar me plumb të shkrirë monedha 5-lekëshe dhe ia kishin treguar gjithkujt me hare. Policia i arrestoi gjatë orës së mësimit në shkollë, dy ditë përpara ditës së votimeve dhe Ismaili bëri dy ditë burg derisa ndërhyri avokati i Kadarenjve dhe e liruan për shkak të moshës së mitur.
Kur ishte 13 vjeç zbuloi Makbethin e Shekspirit, dhe kështu i lindi dashuria për letërsinë. Në këtë moshë shkroi tregimet e para të cilat i botoi te revista “Pionieri” në Tiranë. Në moshën 17 vjeçare shkroi dy poezi për Stalinin, gjë që sipas Malcolm, ndihmoi në botimin e librit të tij të parë në moshën 18 vjeçare, një përmbledhje poetike e titulluar Frymëzime djaloshare.
VEPRAT
Vepra e parë e rëndësishme e Kadaresë është romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), që është një pikë kthese në prozën moderne shqiptare. Në prozën e tij, Kadare e vështron të shkuarën jo vetëm si histori qëndrese heroike, por si histori mbijetese të identitetit shqiptar. Pasojnë romanet: “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Vit i mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”, “Pasardhësi”, ku vihen përballë vlerat e jetës dhe çmimi i vdekjes.
Romani “Kush e solli Doruntinën” (1979) u kujtoi bashkëvendësve ringjalljen, rilindjen, atë vlerë që gjendej në baladat e hershme të tyre dhe që mbante shenjën e humanizmit të Rilindjes Europiane. Ndërkaq, “Kronikë në gur” (1971) është romani i dytë i Kadaresë që trajton temën e luftës antifashiste, e parë me sytë e një fëmije tregohet si një lojë, ku palët shfaqen si në një teatër. Ndërkaq, romani “Kështjella” është quajtur “roman historik”, por dhe “roman i heroit të papranishëm”.
Nocioni i kështjellës është i pranishëm edhe te “Prilli i thyer” (kulla e ngujimit); te “Krushqit janë të ngrirë”, te “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”, te “Piramida”. Në të kundërtën, nocioni i urës gjendet tek “Ura me tri harqe”, “Kush e solli Doruntinën”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Kushëriri i engjëjve”. Romani “Dimri i madh” (1977) është varianti i ripunuar i veprës “Dimri i vetmisë së madhe”, që u botua më 1973, në të cilin trajtohet tema e konfliktit me sovjetikët.
Romani tjetër “Koncert në fund të dimrit”(1987), trajtoin temën e konfliktit me kinezët. Romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1979) përfaqëson veprën më problematike dhe më mospajtuese të Kadaresë me realizmin socialist Thelbi i romanit është alegoria politike antitotalitariste, duke marrë shkas prej mënyrës së funksionimit të ish-Perandorisë Osmane.
Ndërkaq, letërsia e Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar. Veprat e Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të huaja. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.
ÇMIMET
Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca. Në vitin 2005 fitoi çmimin “Man Booker Prize” i nominuar krahas nobelistëve Günter Grass, Garbiel Garcia Marquez, Kenzaburo Oe etj. Kryetari i jurisë e arsyetoi vendimin për t’i dhënë çmimin Kadaresë me fjalët: Ismail Kadare është një shkrimtar që hedh në hartë një kulturë të tërë: historinë e saj, dëshirën, folklorin, politikën, fatkeqësitë. Ai është një shkrimtar universal me traditë rrëfimi që shkon deri tek Homeri.
Në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll Princi i Asturias për Artet, çmimi më i rëndësishëm letrar në vendet spanjolle, dhe një nga çmimet letrare më prestigjoze në botë. Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin Lerici Pea. Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.
Ai është shkrimtari i vetëm shqiptar që është kandiduar pesë për të fituar çmimin Nobel në Letërsi. Kadare është martuar me shkrimtaren, Helena Kadare, dhe kanë dy vajza, Gresa dhe Besjana./ZËRI
Burimi