KQZ: Pjesëmarrja deri në orën 15:00, më e ulët se në vitin 2021

KQZ: Pjesëmarrja deri në orën 15:00, më e ulët se në vitin 2021

Foto ilustruese

PRISHTINË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, deri në orën 15:00, ishte 28.32 për qind.
“Në 91.20 për qind të vendvotimeve, deri në orën 15:00 kanë votuar 28.32 për qind, apo 558.246 votues nga 1.970.944,”- tha zëdhënësi Valmir Elezi në një konferencë për media. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja deri në këtë orë ishte më e ulët, sipas tij, pasi para katër vjetësh kjo përqindje ishte 32.32.
Elezi, po ashtu, bëri të ditur se në përfaqësitë diplomatike jashtë Kosovës – ku votimi është zhvilluar më 8 shkurt – kanë votuar 15.352 votues nga 20.324 të regjistruar gjithsej. Ai theksoi se procesi i zgjedhjeve është duke shkuar mirë, pa ndonjë problem që do të mund ta cenonte mbarëvajtjen e tij. Duke folur për shqetësimet e ngritura nga disa media, se ngjyra që i vihet në gisht qytetarit pas votimit, fshihet shpejt, Elezi tha se kjo nuk është e vetmja masë e sigurisë që aplikon KQZ-ja.
“Të gjithë personat që votojnë, pasi që identifikohen me një dokument zyrtar të Republikës së Kosovës, nënshkruajnë në hapësirën tek emri i tyre, pasi votojnë. Ky nënshkrim ia pamundëson një votuesi të votojë sërish,”- tha Elezi.
Për më shumë informacione nga dita e votimit, vizitoni blogun tonë. Zgjedhjet e 9 shkurtit janë të parat të rregullta në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Në garë janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur, si dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë.
Të drejtë vote kanë mbi 2 milionë qytetarë, brenda dhe jashtë Kosovës./REL
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente