Kontrolle nga Ksamili në Koman, bllokohen 17 mjete lundruese, gjobiten me 10,000 lekë drejtuesit
Policia detare
KSAMIL- Gjatë një aksioni të gjerë nga Ksamili në Koman, Policia Detare ka njoftuar se bllokuar 17 mjete lundruese, përfshirë 9 jet ski, 4 skafe, 3 gomone dhe 1 varkë metalike.
Përveç bllokimit të mjeteve, drejtuesit e 12 prej tyre janë ndëshkuar me gjobë administrative prej 10,000 lekësh secili, për shkak të mungesës së dokumentacionit të rregullt.
Njoftimi i Policisë Detare:
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare edhe gjatë javës së parë të muajit shtator, duke parë fluksin e lartë të frekuentimit të plazheve të vendit nga pushuesit, ka vijuar me intensitet operacioni “Siguria Detare”, përgjatë gjithë vijës bregdetare, hapësirave liqenore dhe atyre lumore. Si rezultat i kontrolleve në kuadër të operacionit “Siguria Detare”, gjatë kësaj jave nga Ksamili në Koman, janë bllokuar 17 mjete lundruese.
Mjetet e bllokuara: 9 jet ski, 4 skafe, 3 gomone dhe 1 varkë metalike. 10 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë. 5 mjete lundruese janë bllokuar nga Durrësi në Shëngjin. 1 mjet lundrues është bllokuar në Velipojë dhe 1 varkë metalike me motor uji për lundrim është bllokuar në Koman.
5 prej mjeteve lundruese të bllokuara janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare, duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative prej 100,000 lekësh të rinj. Drejtuesit e 12 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative prej 10,000 lekësh për mungesë dokumentacioni.
Po gjatë kësaj jave, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare iu kanë dhënë ndihmë turistëve dhe vizitorëve në 11 raste në hapësirën detare nga Ksamili në Koman. Në shumicën e rasteve, turistëve ju rrezikohej seriozisht jeta për shkak të prishjes së mjeteve lundruese apo pamundësisë për t’u kthyer në breg për shkak të dallgëve.
Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese të zbatojnë me rigorozitet rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të jenë të pajisur me mjetet e shpëtimit, si dhe të tregohen vigjilentë gjatë lundrimeve duke respektuar perimetrin e sigurisë.
Burimi