
Kë telefonoi Veliaj teksa po transferohej në GJKKO? SPAK nis hetim për policët e “Burgjeve”, njëri i dha celularin: Isha i frikësuar!

Erion Veliaj
TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur hetime për efektivët e Policisë së Burgjeve, të cilët kishin për detyrë transportin e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj. Teksa Veliaj sillej nga ambientet e paraburgimit të Durrësit, për të marrë pjesë në seancën e tij në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ndodhur një shkelje e ligjit. Ka informacione se një prej efektivëve që shoqëronte Veliajn i ka dhënë telefonin e tij për të kryer disa biseda. Nuk dihet se kë ka marrë Veliaj në telefon, por me aq informacione sa janë bërë me dije deri më tani, raportohet se ka telefonuar disa persona.
Teksa është marrë në pyetje, vetë polici i burgjeve e ka pranuar se i ka dhënë telefonin kryebashkiakut të arrestuar pasi ndihej i frikësuar. Ndërkohë që nuk është e qartë se kur kanë ndodhur bisedat. Kjo për shkak se javën që kaloi, Veliaj erdhi 3 ditë rresht në Tiranë për t’u njohur me vendimin e Apelit që sërish e la në qeli. Gjithashtu, nuk dihet se përse kolegët e efektivit që i dha telefonin nuk kanë ndërhyrë për të mos e lejuar një shkelje të tillë ligjore. Ndaj edhe ata janë marrë nën hetim nga SPAK.
Vetë SPAK ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar për nisjen e hetimeve të reja, por në seanën e fundit, ku në Apel u vendos që të mbahej ende në qeli, prokurorët e çështjes, Olsi Dado dhe Altin Dumani folën për prova dhe një dosje të re që kishin hapur për kryebashkiakun e arrestuar. Nuk dihet nëse ka lidhje, por sot në SPAK ishte dhe sekretari i Përgjithshëm, Alban Dokushi, i pari person që ka vizituar Veliajn në qelinë e paraburgimit.
Erion Veliaj u vendos në pranga më datë 10 shkurt! Fillimisht u vendos tek “Mine Peza”, më pas u transferua në ambientet e paraburgimit në burgun e Durrësit. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar 3 vila në një fshat turistik në Qerret ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online. Veliaj është lënë në masën “arrest me burg”, ndërsa Xoxa në “detyrim paraqitje”, ndërsa për 6 biznesmenët që dyshohen se kanë bashkëpunuar me Veliajn janë lënë në “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje.”/ZËRI