ILD kërkon masë disiplinore për gjyqtaren e Kukësit: Cenoi figurën e magjistratit

ILD kërkon masë disiplinore për gjyqtaren e Kukësit: Cenoi figurën e magjistratit

ILD kërkon masë disiplinore për gjyqtaren e Kukësit: Cenoi

Ajshe Xhafa

TIRANË-Inspektorati i Lartë i Drejtësisë i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor për dhënien e një mase disiplinore “vërejtje publike” për gjyqtaren e Kukësit, Ajshe Xhafa. ILD sqaron se Xhafa ka kryer shkelje të rënda disiplinore gjatë një seance dhe rregullat e sjelljes si pjesë e trupit gjykues ndaj dy magjistratëve të tjerë, në seancë publike. Ajo ka cenuar besimin e palëve dhe “diskredituar figurën, integritetin e magjistratit dhe reputacionin e gjykatës”.

Njoftimi

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka filluar hetimin disiplinor me iniciativë, ndaj magjistrates A. Xh., me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për shkeljen disiplinore të parashikuar, si “Shkelja e përsëritur ose e rëndë e rregullave të solemnitetit, rregullave të sjelljes në marrëdhëniet me magjistratët e tjerë”, në referim të nenit 102, pika 2, shkronja “dh” e ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Ky hetim ka filluar mbi bazën e shqyrtimit të informacionit të pasqyruar në procesverbalin e një mbledhje të përgjithshme të gjyqtarëve të shtatorit 2024, gjatë së cilës janë zhvilluar debate mbi disa procese pune në gjykatë.

Nga analiza ligjore e fakteve të konstatuara gjatë hetimit disiplinor ndaj gjyqtares A. Xh., rezulton se:

· Magjistratja A. Xh. në cilësinë e anëtarit të trupit gjykues ka shkelur rregullat e sjelljes me magjistratët e tjerë, pjesë e trupit gjykues, gjatë zhvillimit të një seance publike.

· Sjellja e magjistrates ka qënë e vazhdueshme gjatë gjithë seancës, duke cënuar besimin e palëve të pranishme në seancë tek drejtësia, diskretituar pozitën dhe figurën e magjistratit dhe cënuar integritetin dhe reputacionin e gjykatës.

· Shkelja disiplinore nga ana e magjistrates është kryer me dashje direkte, vërtetuar kjo edhe nga deklarimet e dhëna nga vetë magjistratja gjatë hetimit disiplinor.

· Nisur nga mosnormalizimi i marrëdhënies së magjistrates subjekt hetimi disiplinor me dy magjistratet e tjera, mbetet rreziku i sjelljeve të papërshtatshme në vijim.

· Rrethanë lehtësuese: Magjistratja e ka pranuar që sjellja e saj në praninë e palëve, në atë seancë publike nuk ka qënë në përputhje me etikën dhe se ajo nuk duhet të kishte atë sjellje në prezencë të palëve.

· Rrethanë lehtësuese: Magjistratja nuk ka masë të mëparshme disiplinore dhe ka eksperiencë të pakët profesionale, pasi shkelja është kryer në vitin e parë të punës si gjyqtare.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë konkludon se sjellja dhe veprimet e magjistrates A. Xh., në rastin konkret vlerësohen si “Shkelje e lehtë disiplinore”. Vetë masa disiplinore përmban parandalimin e posaçëm, në kuptimin që magjistrati në të ardhmen të mos kryejë më shkelje disiplinore; dhe parandalimin e përgjithshëm, në kuptimin që magjistratët e tjerë, të kuptojnë që një sjellje e tillë e papërshtatshme nuk duhet kryer, pasi është e ndëshkueshme me masë disiplinore.

Për sa më sipër, kërkohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pranimi i kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” për gjyqtaren A.Xh., të parashikuar nga neni 105 pika 1 shkronja “b” dhe neni 107 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente