Gati projektligji për menaxhimin e mbetjeve, qeveria rikthen importin e tyre, 8 vite pas protestave popullore

Gati projektligji për menaxhimin e mbetjeve, qeveria rikthen importin e tyre, 8 vite pas protestave popullore

Importi i mbetjeve

TIRANË- Qeveria shqiptare ka në plan që të rikthejë lejimin e importit të mbetjeve në Shqipëri, ndërsa projektligji është hedhur për diskutim publik nga ana e Ministrisë së Mjedisit.
Projektligji, i cili synon të zëvendësojë ligjin aktual për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, thotë në nenin 73 se në përgjithësi importi i mbetjeve në Shqipëri ndalohet me përjashtim të rasteve kur Këshilli i Ministrave e lejon.
“Në territorin e Republikës së Shqipërisë lejohen të importohen, vetëm disa kategori të caktuara mbetjesh jo të rrezikshme, përveç atyre të përcaktuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, pas miratimit të kërkesës për import me Vendim të Këshillit të Ministrave,” thuhet në projektligj.
“Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrit miraton listën e mbetjeve jo të rrezikshme të cilat lejohen të importohen në Republikën e Shqipërisë si dhe rregullat për zbatimin e këtij neni,” shtohet aty.
Ndërsa neni 74 lejon më tej kalimin në Shqipëri tranzit të “mbetjeve jo të rrezikshme”, për të cilat mjafton një leje e ministrit të Mjedisit.
“Jam absolutisht kundër,” deklaroi për BIRN Lavdosh Ferruni, aktivisti i Aleancës Kundër Importit të Plehrave, grupi shoqëror joformal që luftoi me sukses fillimisht qeverinë “Berisha” dhe pastaj qeverinë “Rama” për të ndaluar importin e plehrave.
“Shqipëria duhet të vijojë të ketë një ndalim të plotë të importit të plehrave. Shkalla e rrezikut që bashkë me mbetjet e parrezikshme në Shqipëri të hyjnë edhe mbetjet e rrezikshme është sot njësoj e lartë siç ishte edhe më parë,” shtoi Ferruni. “Nëse qeveria do bëjë ndonjë gjë të vlefshme, ajo është që të merret me krizën aktuale mjedisore që u shkaktua nga politika e saj e incinerimit,” theksoi Ferruni, ndërsa shtoi se lejimi i importit të plehrave “vetëm sa do ta përkeqësonte këtë situatë”.
Shqipëria ka debatuar nisma të tre qeverive përgjatë njëzet viteve të fundit që synonin të lejonin importin e mbetjeve, që të gjitha, të dështuara për shkak të protestave popullore. Nisma e parë i takoi ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili miratoi një kontratë koncesioni për një impjant incinerimi për biznesmenin kontrovers italian Francesco Becchetti. Në vitin 2011, qeveria e kryeministrit Sali Berisha miratoi një ligj për lejimin e importit dhe dha licenca për importime mbetjesh, sipas formatit të propozimit aktual. Kryeministri Edi Rama, në kohën kur ishte në opozitë, bëri fushatë gjerësisht duke premtuar heqjen e mundësisë për importin e ligjshëm të plehrave në Shqipëri, vendim që e mori në ditët e para të mandatit të parë në vitin 2013.
Në vitin 2016, Rama ndryshoi mendim dhe vendosi të lejojë sërish importin e plehrave. Projektligji u miratua në parlament, por u kthye nga ish-presidenti Bujar Nishani dhe ngeci pasi ish-aleati i Ramës, Ilir Meta dhe LSI, nuk lejuan rrëzimin e dekretit të Nishanit. Socialistët hoqën dorë nga nisma në vitin 2017 kur pranuan dekretin e presidentit.
Ferruni, i cili është një nga aktivistët e fushatës së vitit 2004, asaj të vitit 2011 dhe asaj të vitit 2016, i tha BIRN: “Do të fillojmë menjëherë të organizohemi kundër.”
Teksa projekti përmirëson aspekte të termave sa i takon menaxhimit duket se specifikon edhe një kapitull jo të panjohur kur vjen puna tek mbetjet dhe që ka të bëjë me djegien e tyre nga impiante të posaçme siç janë inceneratorët. Konkretisht drafti përcakton se çfarë quhet incenerim dhe bashkë incenerim, raporton Monitor.
“Incenerimi i mbetjeve” është çdo proces rikuperimi ose asgjësimi i mbetjeve, në të cilin mbetjet digjen me ose pa rikuperim të nxehtësisë së gjeneruar nga djegia, e cila përfshin djegien nga oksidimi i mbetjeve dhe procese të tjera termike si piroliza, gazifikimi ose proceset e plazmës, për aq kohë sa produktet që rezultojnë nga këto trajtime më pas digjen.
“Bashkë incenerimi i mbetjeve” është çdo operacion të rikuperimit ose asgjësimit të mbetjeve, qëllimi kryesor i të cilit është prodhimi i energjisë ose produkteve materiale dhe në të cilin mbetjet përdoren si lëndë djegëse të rregullt ose plotësuese ose në të cilat mbetjet i nënshtrohen trajtimit termik me qëllim asgjësimin e tyre. Kjo përfshin djegien nga oksidimi i mbetjeve, si dhe procese të tjera termike, të tilla si piroliza, gazifikimi ose proceset e plazmës, për sa kohë që produktet që rezultojnë nga këto trajtime digjen më pas”, thuhet në projektligj.
Lidhur me menaxhimin e mbetjeve pavarësisht se praktika e djegies së tyre është një nga alternativat e fundit në piramidën e zgjidhjeve, në Bashkimin Europian duket se Shqipëria do të vijojë ta ketë pjesë të saj. Incenerimi do të funksionojnë në bazë të rregullave që do të përcaktohen nga qeveria. Konkretisht kjo hallkë sqarohet në nenin 37 të draftit.
“Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit dhe të ministrit përgjegjës për infrastrukturën dhe energjinë, miraton rregullat për incinerimin e mbetjeve, me qëllim reduktimin e emetimeve në atmosferë dhe të aromave, sipas teknikave më të mira të disponueshme. Këto rregulla përfshijnë:
a) specifikimin e kërkesave për incineratorët dhe bashkincineratorët e mbetjeve;
b) procedurat e dorëzimit dhe pranimit të mbetjeve në incineratorë dhe bashkincineratorë;
c) kushtet operacionale të tyre dhe kriteret e autorizimit për ndryshimin e kushteve operacionale;
ç) procedurat e kontrollit dhe të monitorimit të tyre;
d) respektimin e vlerave kufi të shkarkimeve në ajër të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi dhe procedurat e kontrollit dhe monitorimit të shkarkimeve në ajër;
dh) procedurat e mbylljes dhe të kujdesit të mëtejshëm;
e) detyrimet e raportimit, ruajtjes së të dhënave dhe informimit publik;
ë) kushtet dhe kërkesat e tjera të lejes së mjedisit;
Nuk pranohen për incinerim, mbetjet që janë grumbulluar në mënyrë të diferencuar për qëllim të përgatitjes për ripërdorim dhe riciklim, me përjashtim të mbetjeve që krijohen nga operacionet e mëtejshme të trajtimit të mbetjeve të mbledhura në mënyrë të diferencuar për të cilat operacioni i incenerimit përbën rezultatin më të mirë mjedisor në përputhje me nenin 6 të këtij ligji” thuhet në këtë nen.
Kujtojmë që qeveria përmes kontratave koncesionare miratoi tre projekte incenerimi ku më e madhja në Tiranë dhe dy të tjera në Elbasan dhe Fier. Pavarësisht kundërshtimit për këto projekte, ato u vijuan, dhe prej vitit 2017 e deri në fillim të këtij viti kanë arritur të marrin nga buxheti i shtetit 120 milionë euro teksa problemi i mbetjeve vijon të mbetet evident. Inceneratorët u kthyen gjithashtu në objekt hetimi të SPAK. Lidhur me inceneratorin e Fierit sot ka disa ish zyrtarë të dënuar teksa për atë të Tiranës ky organ ka mbyllur pjesën e parë të hetimeve dhe ka çuar për gjykim 12 ish-zyrtarë.
Importi i mbetjeve
Drafti ndalet gjithashtu edhe në elementë të tjerë të menaxhimit të mbetjeve dhe që kanë të bëjnë kryesisht me importet apo eksportet e mbetjeve. Sa i takon të parës drafti parashikon lejimin vetëm të atyre që miratohen nga qeveria në një listë të posaçme dhe ku mbetjet klasifikohen si jo të rrezikshme.
“1. Në territorin e Republikës së Shqipërisë, ndalohet:
importi i mbetjeve të rrezikshme;
tranzitimi i mbetjeve të rrezikshme;
Ndalohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme për qëllim ruajtjeje ose asgjësimi në Republikën e Shqipërisë.
Në territorin e Republikës së Shqipërisë lejohen të importohen, vetëm disa kategori të caktuara mbetjesh jo të rrezikshme, përveç atyre të përcaktuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, pas miratimit të kërkesës për import me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrit miraton listën e mbetjeve jo të rrezikshme të cilat lejohen të importohen në Republikën e Shqipërisë si dhe rregullat për zbatimin e këtij neni” thuhet në dokument” thuhet ne nenin 73./ZËRI 
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente