Faik Ajdini u vra për një gardh! Policia shpall në kërkim autorin kryesor, në pranga bashkëpunëtorët e tij

Faik Ajdini u vra për një gardh! Policia shpall në kërkim autorin kryesor, në pranga bashkëpunëtorët e tij

Viktima Faik Ajdini

MEMALIAJ- Policia dhe Prokuroria e Gjirokastrës, kanë zbardhur vrasjen e ndodhur dy ditë më parë në Memaliaj, ku trupi i pajetë i 72-vjeçarit Faik Ajdini, u gjet në një humnerë, me disa plagë që i ishin shkaktuar nga mjete prerëse.
Pas një pune hetimore, dhe dëshmive të mbledhura në terre, hetuesit kanë arritur në përfundimin se vrasësi i Ajdinit është shtetasi Berti Kanushi, i cili është shpallur në kërkim, teksa bashkëpunëtorët e tij Skënder e Bledar Hajdini janë arrestuar nga ana e policisë.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një sherri për motive pronësie, pasi viktima dhe autori kanë qenë fqinj mes tyre.
Berti Kanushi dyshohet se ka kryer vrasjen e 72 vjeçarit për një gardh në territorin që kufizonin banesat e tyre. Konfliktet kanë nisur në mënyrë verbale dhe kulmuan me vrasjen e 72 vjeçarit me sëpatë. Pas vrasjes Berti Kanushi ka kërkuar ndihmën e Skënder e Bledar Ajdinit (babë e bir) për ta hedhur trupin në humnerë dhe fshehur vrasjen. Kjo i ka shndërruar ata bashkëpunëtorë në krim, dhe i ka çuar në pranga gjatë ditës së djeshme.

Policia e Gjirokastrës përmes metodave speciale ka arritur të zbulojë të gjithë dinamikën dhe autorësinë e krimit. Berti Kanushi është larguar nga vendi i krimit në drejtim të paditur dhe është shpallur në kërkim. Familjarët e Ajdinit kishin denoncuar dy ditë më parë në polici, humbjen e kontakteve me të afërmin e tyre. Pas nisjes së hetimeve dhe kërkimeve nga ana e policisë, trupi i 72-vjeçarit u gjet në një greminë, me plagë të shkaktuar nga mjete prerëse. /ZËRI
Burimi