Dosja “Babale”, shtyhet sërish seanca në Gjykatën e Apelit

Dosja “Babale”, shtyhet sërish seanca në Gjykatën e Apelit

Ervin Salinaji

TIRANË- Shtyhet sërish seanca për deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salinaji për dosjen “Babale”. Seanca për të ishte parashikuar ditën e nesërme, por do të shtyhet sërish, kësaj here jo për “faj” të demokratit. Në një njoftim të shpërndarë nga Gjykata e Tiranës, raportohet se seanca nuk mund të zhvillohet për shkak të pamundësisë së prokurorit për të qenë i pranishëm.
“Ne vijim te komunikimeve mbi veprimtarine e Gjykates se Apelit te Juridiksionit te Pergjithshem, ju njoftojme se: Neser me date 28.06.2024, ora 10:00, eshte planifikuar seanca gjyqesore e ceshtjes penale ndaj te pandehurve Ervin Salianji, etj. Ju komunikojme se seanca nuk do te zhvillohet, per shkak se prokurori ka depozituar prane sekretarise se gjykates kerkese per shtyrje seance, duke parashtruar se per arsye objektive nuk mund te jete i pranishem. Per seancen e ardhshme do te njoftoheni. Ju faleminderit!,”-bëhet me dije në njoftimin zyrtar. 
Salianji është shpallur fajtor për veprën penale ‘kallëzim i rremë’ në lidhje me çështjen “Babale” dhe u dënua me një vit burg nga Gjykata e Shkallës së Parë, dënim të cilin ai e cilëson si politik. 
Ç’është dosja Babale?
Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin “Babale”. Në përgjimet e publikuara por edhe në të tjera që Prokuroria dispononte, Alizoti komunikonte me asokohe shefin e Polisisë së Fierit, Albert Nushin (emri i del edhe tek vrasja e Pjerin Xhuvanit) për shpërblime/pako që duhet të merrte, e gjithashtu flitej edhe për një “shef të madh”. Ekspertët e huaj vlerësuan se zëri në përgjime ishte i ngjashëm me atë të Geron Xhafës. Por ekspertiza nuk mund ta thoshte me siguri për shkak të cilësisë së audio-regjistrimit.
Për dosjen, Salianji u dënua me 1 vit burg dhënë nga Gjykata e Tiranës në dhjetor të vitit 2019, pasi u shpall fajtor për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Ndonëse u dënua me burg, ai nuk shkoi ne qeli, pasi u hetua dhe gjykua pa mase sigurie. Vendimi i Shkallës së Parë për 100 orë punë në interes të publikut është ankimuar edhe nga i bashkëpandehuri në këtë çështje, gazetari Jetmir Olldashi./ZËRI
Burimi