
“Do të kthehet batica, AKP do të japë llogari”/ Protestat në Stamboll për arrestimin e liderit të opozitës
Pamjet nga protesta
TURQI- Qindra protestues u mblodhën jashtë stacionit kryesor të policisë të Stambollit për të protestuar kundër arrestimit të kryebashkiakut Ekrem Imamoglu, një nga figurat kryesore të opozitës në Turqi. Protestuesit brohoritën parulla kundër qeverisë së Presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe denoncuan arrestimin si një përpjekje për të eliminuar politikisht kreun e Partisë Popullore Republikane (CHP).
Policia vendosi siguri të forta në qendër të qytetit dhe bllokoi aksesin në transportin publik për të parandaluar fluksin e mëtejshëm të protestuesëve. Por ata që kanë arritur t’i bashkohen turmës brohoritën parulla të tilla si: “Do të vijë dita, do të kthehet batica, AKP do të japë llogari para popullit” dhe “Qeveri, dorëhiqu”. Ata mbanin gjithashtu pankarta me sloganin e Imamoglu si kryetar bashkie. E gjendur në këto kushte, Policia ngriti barrikada dhe vendosi autobotë me ujë për të shpërndarë protestuesit.
Pamjet nga protesta
Një tjetër eksponent i opozitës, Bulent Gulten, e quajti arrestimin e Imamoglu “një grusht shteti civil kundër demokracisë turke”.
“Ata që ecën krah për krah me organizatën terroristët gylenistë, tani po zbatojnë taktikat që mësuan prej tyre kundër opozitës. Turqia sot shihet si një vend ku drejtësia është zhdukur dhe kushdo që nuk e mbështet qeverinë përfundon në Silivri (burg).”
Një tjetër protestues, Murat Sapankaya, një punonjës i bashkisë së Stambollit pohoi gjithashtu se arrestimi i kryebashkiakut ishte i motivuar politikisht.
“Ne erdhëm këtu për të mbështetur kryetarin e bashkisë. Ai u arrestua padrejtësisht dhe si qytetarë të Stambollit, ne jemi këtu për ta mbështetur atë.”
Edhe partitë e tjera opozitare e dënuan arrestimin. CHP e denoncoi arrestimin si një përpjekje për ta hequr atë nga politika, duke e konsideruar atë rivalin kryesor të Erdoganit në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Qeveria, megjithatë, ka mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit dhe ka hedhur poshtë çdo motivim politik në proces. Arrestimi i Imamoglu dhe më shumë se 100 bashkëpunëtorëve të tij vjen në mes të presionit në rritje ndaj opozitës në Turqi./ZËRI
Burimi