![Diaspora voton në përfaqësitë diplomatike të Kosovës! Procesi: Deri në orën 15:00 votuan 50%](https://lajmidites.com/wp-content/uploads/thumbnails/2025/02/diaspora-voton-ne-perfaqesite-diplomatike-te-kosoves-procesi-deri-ne-oren-1500-votuan-50_67a78e2a063e5.webp-730x440-lajmidites.com.webp)
Diaspora voton në përfaqësitë diplomatike të Kosovës! Procesi: Deri në orën 15:00 votuan 50%
FOTO ILUSTRUESE
KOSOVË-Këtë të shtunë votohet në 43 vendvotime në 30 përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës që janë në 19 shtete të Evropës dhe SHBA e Kanada.
Të drejtë vote kane 20,324 shtetas të Republikës së Kosovës të cilët janë regjistruar si votues jashtë vendit dhe kanë përzgjedhur mënyrën e votimit fizikisht në përfaqësitë diplomatike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 15:00 kanë votuar 50 për qind apo 10.346 e votuesve të regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike.
“Ju njoftojmë se nga komunikimi i vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike, procesi i votimit është duke u zhvilluar pa ndonjë pengesë. Gjithashtu ju njoftojmë se kemi pranuar të dhënat e para të pjesëmarrjes së votuesve në votime deri në orën 11:00. Nga 20 mijë e 324 votues të regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike deri në orën 11:00 kanë votuar 4390 votues, apo 21.60 për qind”, deklaroi ai.
Gjermania ka numrin më të lartë të diasporës që është e regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës që janë gjashtë gjithsej. Të regjistruar si votues janë 9,166 shtetas të Kosovës për të votuar në përfaqësitë diplomatike në këtë shtet.
Në Londër, të drejtë vote kanë 1020 persona të regjistruar si votues jashtë vendit.
Në Zvicër ku ka një numër të lartë të diasporës shqiptare kanë të drejtë vote 3901 persona të regjistruar si votues jashtë vendit. Votimi në Zvicër bëhet në tre qendra votimi, në Ambasadën e Kosovës në Bernë, në konsullatën në Cyrih dhe në Konsullatën në Gjenevë.
Votimi në Francë mbahet në dy qendra të votimit, në Paris dhe Strasburg. Në Ambasadën e Kosovës në Paris kanë të drejtë vote 320 persona dhe në Konsullatën në Strasburg 656 persona të regjistruar si votues jashtë vendit.
Në Kroaci kanë të drejtë vote 153 persona. Në Ambasadën në Bruksel, kanë të drejtë vote 960 persona.
Votohet në këto ambasada dhe konsullata sot: Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankurt – konsullatë; Duseldorf – konsullatë; Munih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Hamburg – konsullatë); Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); Mbretëri e Bashkuar (Londër – ambasadë); Belgjikë (Bruksel – ambasadë); Austri (Vjenë – ambasadë); ShBA (Ëashington – ambasadë; New York – konsullatë); Francë (Paris – ambasadë; Strasbourg – konsullatë); Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); Kanadë (Otavë – ambasadë; Toronto – konsullatë); Turqi (Stamboll – konsullatë); Norvegji (Oslo – ambasadë); Slloveni (Lubjanë – ambasadë); Suedi (Stokholm – ambasadë); Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); Kroaci (Zagreb – ambasadë); Holandë (Hagë – ambasadë); Çeki (Pragë – ambasadë); Hungari (Budapest – ambasadë); dhe Maqedoni e Veriut (Shkup – ambasadë).
Kosova do të mbajë më 9 shkurt zgjedhjet parlamentare, ku mbi 2 milionë qytetarë do të zgjedhin qeverinë e re. Në këto zgjedhje garojnë 28 forca politike, 20 prej tyre janë parti, 5 koalicion, 2 lista qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ndërsa kandidatët për kryeministër janë Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili kërkon një mandat të dytë, Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës./ZËRI
Burimi