
Bisedimet Trump-Putin për armëpushim/ Zelenskyy: Diskutimet pa Ukrainën në tryezë nuk kanë rezultate
Volodymyr Zelenskyy
KIEV- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka reaguar pas telefonatës mes homologut amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin. Zelenskyy tha se mbështet propozimin për të ndaluar sulmet në infrastrukturën energjetike për 30 ditë. Më tej ai u shpreh se Ukraina do të mbështesë çdo ide që çon në një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë, por se një armëpushim pa kushte do të ishte një hap më i mirë përpara.
Por, Zelenskyy theksoi se bisedimet e ardhshme për Ukrainën, pa Kievin nuk do të kenë rezultate. Presidenti ukrainas kërkoi përfshirjen e tij dhe të aleatëve në bisedime.
Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij rus Vladimir Putin zhvilluan sonte një bisedë telefonike për rreth 2 orë. Tema e diskutimit ishte një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës. Biseda e parë telefonike mes Trump dhe Putin u zhvillua më 12 shkurt. Ai ishte komunikimi i tyre i parë i drejtpërdrejtë në tre vjet, pasi ata nuk kishin pasur kontakte personale që nga viti 2022 për shkak të zhvillimeve në Ukrainë dhe prishjes së marrëdhënieve SHBA-Rusi.
Pas kësaj bisede, në Arabinë Saudite u zhvilluan negociatat ruso-amerikane të nivelit të lartë, ku u diskutua si për rivendosjen e marrëdhënieve dypalëshe ashtu edhe për çështjen e Ukrainës./ZËRI
Burimi