BIRN: Shkarkimet e padrejta ngrenë shqetësime për qeverisjen e RTSH-së

BIRN: Shkarkimet e padrejta ngrenë shqetësime për qeverisjen e RTSH-së

Alfred Peza

TIRANË- Dy ish-punonjës të televizionit publik shqiptar, Radio Televizioni Shqiptar, RTSH – mes më shumë se 140 që janë pushuar nga puna ose janë larguar që kur një besnik i Partisë Socialiste në pushtet u emërua drejtor i tij vitin e kaluar – i treguan BIRN se si fituan çështjet gjyqësore për shkarkim të padrejtë nga puna. Kur Elton Kadisi u shkarkua në gusht të vitit të kaluar nga departamenti i shitjeve të RTSH-së pas 23 vitesh punë, arsyeja e dhënë për këtë masë të marrë ishte mossigurimi i disa karrigeve që i kishte kërkuar drejtori i përgjithshëm.
Kadisi u shkarkua për gjoja paaftësi. Një vendim i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, i datës 12 qershor, thoshte se drejtori i përgjithshëm i kishte kërkuar atij të siguronte gjashtë karrige për kanalin RTSH 4 dhe tre për zyrën e Transkodimit dhe Kontrollit të Cilësisë. Kadisi “nuk e zbatoi këtë urdhër dhe me papërgjegjshmëri absolute u përpoq të akuzonte punonjës të tjerë të institucionit për mungesën e karrigeve, me vetëdije të plotë se kjo nuk ishte e vërtetë”, kishte pretenduar RTSH, kujton vendimi i gjykatës. 
Por gjykata vendosi në favor të Kadisit dhe urdhëroi televizionin publik t’i paguante atij 28 muaj e gjysmë pagë për shkarkim pa njoftim paraprak dhe duke mos respektuar procedurat, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e shërbimit të tij. Kadisi është një nga më shumë se 140 punonjësit e RTSH-së që janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen që nga qershori i vitit 2023, kur ish-deputeti socialist Alfred Peza mori postin e drejtorit të përgjithshëm. Të tjerë gjithashtu kanë hapur çështje gjyqësore për shkarkim të padrejtë nga puna. Peza ishte një emërim kontrovers, pasi ai kishte qenë një figurë e lartë e Partisë Socialiste, e cila është në pushtet prej dhjetë vitesh, dhe një ish-deputet i saj. Emërimi i tij në postin e lartë në televizionin publik ka ngritur pikëpyetje për pavarësinë e tij nga qeveria e kryeministrit Edi Rama dhe objektivitetin e tij të transmetimit.
Peza nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga BIRN deri në momentin e publikimit.
“Nevojitet një llogaridhënie më e madhe”
Shkarkimet janë kritikuar nga sindikatat e medias dhe organizatat ndërkombëtare. Edhe një raport monitorimi parlamentar muajin e kaluar mbi veprimtarinë e RTSH-së shprehu shqetësim. Raporti vuri në dukje se kishte “një numër shumë të lartë punonjësish të pushuar nga puna, 142”. Ai tha gjithashtu se 155 punonjës të rinj ishin rekrutuar duke përdorur procedura të paqarta gjatë të njëjtës periudhë.
“Janë marrë njëqind e pesëdhjetë e pesë vendime për emërime, ndërsa në faqen zyrtare të RTSH-së janë publikuar vetëm 25 njoftime për vende të lira pune”, thuhej në raport.
BIRN pyeti RTSH-në se sa nga stafi i saj kishin ngritur padi kundër saj nga prilli 2023 deri në korrik 2024, por nuk mori përgjigje deri në momentin e publikimit. Peza e ka trajtuar polemikën vetëm një herë, kur u mor në pyetje në një seancë parlamentare në qershor të këtij viti. Ai argumentoi se shkarkimet ishin të nevojshme për të hequr stafin joaktiv.
“Ne gjetëm njerëz në institucion që nuk kishin ardhur as edhe një ditë të vetme në punë”, tha ai. Ai pohoi gjithashtu se disa gazetarë dhe kameramanë kishin marrë rroga prej 18 vitesh, por nuk kishin asnjë material në arkivin e RTSH-së. BIRN foli me një punonjës tjetër të RTSH, i cili fitoi gjyqin e tij për shkarkimin e padrejtë nga puna në një vendim të gjykatës së shkallës së parë. Devid Xhaja tha se ka punuar për televizionin publik për 22 vjet, dhjetë vitet e fundit si drejtor arkive. Ai u shkarkua pa u informuar përse, tha ai për BIRN.
“Shkarkimi nga puna ishte i menjëhershëm dhe pa arsye. Sigurisht që u ndjeva i ofenduar për mënyrën se si u pushova nga puna, në mënyrë të padrejtë dhe të pabazë. Si mund të pushohesh pa arsye me 22 vite shërbim në RTSH?,”- tha Xhaja.
Në qershor, gjykata e shkallës së parë vendosi në favor të tij dhe urdhëroi televizonin publik t’i paguante 26 muajë paga. Blerjana Bino, nga Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, një OJQ me qendër në Tiranë që ka ndjekur nga afër situatën në RTSH, tha se në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi, Inspektorati i Punës i vendit zbuloi se kishte marrë gjashtë ankesa për largime të padrejta nga puna nga RTSH që nga qershori 2023.
“Këto gjetje mbështesin shqetësimet e ngritura më parë nga Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, i cili ka dokumentuar raporte nga gazetarë që pretendojnë se janë pushuar nga puna pa proces të rregullt. Duhet theksuar se letra zyrtare e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt për RTSH-në në lidhje me këto pretendime mbetet pa përgjigje, duke ngritur pikëpyetje për transparencën dhe gatishmërinë e televizionit publik për të adresuar këto çështje,”- tha Bino për BIRN.
Ajo shtoi se, duke pasur parasysh seriozitetin e ankesave, tani duhet një “mbikëqyrje më e madhe parlamentare e RTSH-së”.
“Komisioni parlamentar përgjegjës për çështjet e medias duhet të marrë në konsideratë krijimin e një task force dedikuar hetimit të këtyre akuzave dhe monitorimit të pajtueshmërisë së RTSH-së me ligjet e punës dhe rekomandimet parlamentare. Ky mekanizëm i përmirësuar mbikëqyrës mund të ndihmojë në sigurimin e llogaridhënies dhe transparencës më të madhe në operacionet e televizionit publik shqiptar, duke mbrojtur si të drejtat e profesionistëve të medias ashtu edhe integritetin e shërbimeve të medias publike”, shtoi ajo./BIRN
Burimi