
Berisha rikthehet në SPAK, pritet nga mbështetësit

Sali Berisha
TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me dosjen “Partizani”. Berisha e cilëson vendosjen e masës ndaj tij një akt të turpshëm politik në të cilin ai thotë se “Prokuroria në kundërshtim me Kushtetutën kërkon t’i ndalojë fjalën e lirë”, ndërsa gjykatësin e krahason me një kukull të partisë që vendos sipas kërkesave të tyre.
Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të “korrupsionit pasiv” të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t’iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Në dosjen e SPAK thuhej se dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi është bërë përfaqësues i familjeve që rezultonin pronare të tokës ku ndodhej ish-kompleksi Partizani, përmes prokurave, në të cilat premtohej se do të arrinin objektivat nëse vendosnin vendosur në dispozicion 3-5% të pasurisë së tyre. Përveç dyshes Berisha-Malltezi, nën akuzë janë edhe Fatmir Bektashi, Andja Pustina dhe Xhimi Begeja. Aktualisht Berisha është në liri, por me masën “detyrim paraqitje”, 2 herë në javë. Por SPAK ka kërkuar që kryedemokrati të kthehet në arrest shtëpie duke ankimuar vendimin e GJKKO-së. Ndërkohë SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzë zyrtare për Berishën, atë të korrupsionit pasiv./ZËRI