
Aulon Naçi, emërohet drejtori i ri i TKOB

Aulon Naçi
TIRANË– Aulon Naçi është zgjedhur drejtor i Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Lajmin e konfirmoi ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në rrjetet e tij sociale. Në postimin e tij, Gonxhja tha se përzgjedhja ishte bërë përmes një procesi konkurrimi platformash.
“Përzgjedhja u bë një Juri, përmes një procesi konkurrimi platformash, të zyrtarizuar me miratim nga Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrit të Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit – MEKI,”-shkruan Gonxhja, ku përveç urimeve, i ka bërë edhe një prezantim drejtorit të ri.
POSTIMI I PLOTË:
Por kush është Aulon Naçi?
Aulon Naçi ka përfunduar studimet në Konservatorin “J. Tomadini” në Udine, Itali. Më pas, ka vazhduar specializimin në Belgjikë, si asistent lektor në Konservatorin Mbretëror të Brukselit për një vit. Veprat e tij janë interpretuar dhe pritur me entuziazëm në një gamë të gjerë vendesh, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Italinë, Austrinë, Greqinë, Kanadanë, Holandën, Belgjikën, Rumaninë, Slloveninë dhe shumë të tjera. Ai ka udhëhequr artistikisht aktivitete të shumta brenda dhe jashtë vendit, duke bashkëpunuar me emra të njohur të panoramës muzikore kombëtare dhe ndërkombëtare, si ansamble dhe solistë. Disa nga bashkëpunimet më të njohura janë me Korin e Filarmonisë së Kosovës dhe solistët e Orkestrës së “Teatro Alla Scala”.
Aulon Naçi ka marrë çmime të ndryshme si kompozitor dhe kontribues në muzikë përfshirë rikthimin e tij në vendlindje si “Albanian Excellence”, “Vela Latina” dhe “Krenaria e qytetit të Vlorës”.
Në vitin 2023, ai u përzgjodh për të marrë pjesë në programin prestigjioz LEAD Albania, modeluar sipas programit ëhite House Felloës në SHBA. Po ashtu, në maj 2024, ai përfundoi programin Emerging Leaders në Harvard Kennedy School duke u aftësuar në aspektet menaxheriale dhe të lidershipit.
Në vitin e fundit, Naçi ka kontribuar edhe si këshilltar pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Gjithashtu prej 8 vitesh është angazhuar si pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë, Fakultetin e Muzikës për degën e kompozicionit duke dhënë kontributin e tij për ngritjen e kapaciteteve të talenteve të reja./ZËRI