Arbër Teqja bën ‘bingo’ sërish, fiton tenderin 200 mln lekë nga spitali Memorial, edhe pse kishte ofertën më të lartë

Arbër Teqja bën ‘bingo’ sërish, fiton tenderin 200 mln lekë nga spitali Memorial, edhe pse kishte ofertën më të lartë

Arber Teqja, klodjan allajbeu dhe arjana strakosha

TIRANË- Arbër Teqja, djali i zëvendësdrejtoreshës së QSUT-së Arjana Strakosha, vijon që të fitojë tendera nga institucionet publike në dushën e shëndetësisë. Teqja, i njohur dhe si mashë e drejtorit të spitalit Amerikan, Klodjan Allajbeu, së fundi ka fituar një tender në spiralin Memorial të Fierit.
Bëhet fjalë për një tender me numër reference REF-95967-02-21-2024 dhe ka si objekt “Shërbimi i trajtimit dhe asgjësimit të mbetjeve spitalore”, me fond limit 17,458,400 lekë të reja pa TVSH ose rreth 210 milionë lekë të vjetra me TVSH. Ky tender është fituar pikërisht nga “Eco riciklim”, e Arbër Teqjas, edhe pse ka qenë operatori që ka dhënë ofertën më të lartë në garë. Shifra që ka ofruar Teqja është në kufijtë e fondit limit, e megjithatë kompania e tij është shpallur fituese, ndërkohë që e ëma e tij është pjesë e strukturës shëndetësore në vend.

Edhe pse Arbër Teqja është arrestuar në vitin 2015 si pjesëmarrës në një skemë mashtrimi nëpërmjet recetave fiktive në bashkëpunim me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ai përgjatë këtyre viteve ka vazhduar që të përfitojë para nga institucionet publike në vend.

39-vjeçari, Teqja është pronar me 70 % të aksioneve i kompanisë së grumbullimit, perpunimit, transportit dhe asgjesimit të mbetjeve spitalore ECO RICIKLIM, por jo vetëm.
Ai ka blerë edhe aksione në kompanië MSE (ish “ASHLAR Group”), e cila ka si objekt import-eksport dhe tregtim me shumicë dhe pakicë të instrumentave dhe pajisjeve shendetësore dhe medicinale, sanitare etj.
Teqja bleu për vetëm 1 milionë lekë të vjetra 51% të aksioneve të kompanisë “ECO RICIKLIM” në dhjetor 2020. Çmim jo i keq për të blerë aksionet e një kompanie që do të siguronte miliona të tjera me tenderat që do të merrte nga Shëndetësia. Shumë shpejt, kompania e shtriu veprimtarinë e saj në spitalin e Vlorës, Fierit, Elbasanit dhe në atë të Traumës në Tiranë, duke grumbulluar kështu shpejt mbi 1 milion euro.
Shumë, shumë herë më shumë nga sa Teqja pagoi për të blerë aksionet e kësaj kompanie. Tenderin e fundit e mori dhe në spitalin ku punon e ëma, në QSUT po për të njëjtën arsye; trajtim dhe asgjesim i mbetjeve citostatike dhe citotoksike në QSUNT për 12 muaj. Në total kjo kompani ka marrë 51 tendera, me shumë 405.272.235,04 lekë të reja.
Jo keq për një projekt ku ke futur vetëm 1 mln lekë të vjetra apo jo?
Biznesi i hyri shpejt në qejf dhe Arbër Teqja vendosi që të investonte edhe në kompaninë MSE (ish “ASHLAR Group”), e themeluar nga Denisa Bishyti në korrik të vitit 2018. 2 vite më vonë ajo e shiti tek Ilda Tërshana, Arbër Liçaj dhe Can Kutay Orten. Po as kësaj nuk e mbajtën dhe më 22 nëntor 2022, Teqja blen 80% të aksioneve, po me çmim të papërfillshëm, vetëm 4.6 milionë lekë. Por shpejt bën një lëvizje të beftë. Në 8 qershor të vitit 2023, Arbër Teqja nis të kamuflohet, duke nxjerrë në skenë një kompani “të huaj”.
Shitja e aksioneve
Teqja ia kalon 80 % të aksioneve kompanisë Cambridge Pathology B.V., e themeluar në Hagë, me adresë Nassaulaan 2A, 2514 JS dhe NIPT 27304776. Megjithatë aksionin e vazhdonte me “MSE shpk.” duke marrë 29 tendera publikë me vlerë 256.134.950,60 lekë të reja.
LIDHJA ME ALLAJBEUN
Ilda Tërshana, e cila bleu 80 përqind të aksioneve të “MSE” ka qenë për shumë vite drejtoreshë në kompaninë “Evita”, një kompani gjithashtu e lidhur me pronarin e spitalit Amerikan në Shqipëri, Klodjan Allajbeu, i cili ka marrë nga shtetin dhe që zotëronte aksione në shoqërinë koncesionare për shërbimin e Hemodializës, “DiaVita”. 
Ndërsa Arbën Liçaj ka punuar si inxhiner elektronik në Spitalin Amerikan të Klodjan Allajbeut. Edhe vetë Teqja, nuk ishte pa “gjë”, pasi rezulton edhe administrator në “Equos Resort”, i ndërtuar nga Allajbeu. /ZËRI
Burimi