
Apeli i GJKKO pezullon burgun për ish-kryebashkiaken e Libohovës, e konverton në shërbim prove!

Luiza Mandi
TIRANË– Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar deklarimin fajtore për ish-kryebashkiaken e Libohovës, Luiza Mandi. Ajo u shpall fajtore për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Por në seancën e sotme, Apeli i GJKKO pezulloi dënimin me 8 muaj burg për Luiza Mandin, duke ia konvertuar në shërbim prove për 1 vit e 4 muaj.
Mandi u kallëzua në SPAK nga një qytetar, i cili pretendonte se në pronat e familjarëve të tij bashkia po zhvillonte një projekt për zgjerim rruge. “Alba Kosntruksion” ishte firma e cila kishte marrë përsipër zhvillimin e projektit.
Personi që ka kryer kallëzimin raportohet se ka komunikuar vetë paraprakisht me kryetaren e bashkisë dhe përgjegjësin e urbanistikës, të cilët i kanë thënë, se sapo të përfundojë projekti do të riparonin dëmet e shkaktuara në tokat e tij. Ndërkohë në regaimin e saj ish-kryebashkiakja pretendon se punimet për sistemimin e rrugës zgjatën disa muaj, por në asnjë rast, bashkëpronarët apo paditësi, nuk kanë patur asnjë ankesë për zaptim prone, në Bashkinë Libohovë apo në ndonjë instutucion tjetër lokal./ZËRI