Apeli i GJKKO e la në burg/ Për çfarë flet Veliaj: Shfrimet e mia i kthyen në dosje të re!

Apeli i GJKKO e la në burg/ Për çfarë flet Veliaj: Shfrimet e mia i kthyen në dosje të re!

Erion Veliaj

TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar pasi Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë “arrest me burg”. Në reagimin e tij shkruan dhe flet për një dosje të re që sipas tij i është hapur nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në një postim në rrjetet e tij sociale, Veliaj shkruan se “shfrimet” e tij me familjarët janë përgjuar në ambientet e paraburgimit të burgut të Durrësit dhe janë përdorur për të hapur një dosje të re. Por nuk ka bërë me dije asnjë detaj tjetër nga dosja.
REAGIMI I VELIAJT: 
Të dashur miq e dashamirës, vendimi i sotëm nuk ishte ai që do të doja, po ishte ai që deshën ata që më janë qepur si të isha armiku më i betuar i këtij vendi. Do të kisha dashur shumë që ta kisha fituar këtë betejë dhe tani të isha duke përqafuar djalin tim, për të cilin më ka marrë shumë malli! Por, këta më ngritën edhe një kurth, duke më vënë në përgjim bisedat me gruan e me vëllain nga burgu, dhe shfrimet e mia i kthyen në një dosje të re!
E gjitha është si një ëndërr e keqe, si një film sovjetik, me sigurimsa që i qepen robit deri në poshtërim. Po ja që s’është as ëndërr, as film, po është një ngjarje e jetuar në lëkurën e një familjeje për fustanet imagjinare të gruas dhe dosje të stisura qëllimisht për Kryetarin e Bashkisë së Kryeqytetit. A ka diku dikush që duhet të dëgjojë e të shohë se çfarë lebetie është e gjithë kjo?! Avokati amerikan, që më siguroi im vëlla, nuk arrinte të kuptonte asgjë, pasi më dëgjonte dhe pyeste: “Dakord, po pse në burg pa gjyq?”. I kam shkruar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, por po më duket sikur kam hedhur në det një letër në shishe, që kushedi se në ç’breg të shkretë ka dalë.
Sidoqoftë, ky nuk është fundi dhe s’ka se si të jetë! Luftën për drejtësi do ta vazhdoj e do ta bëj deri në fund, siç ju’a kam premtuar. Sepse gjatë gjithë jetës sime kam treguar se di të ringrihem. Humbjet na bëjnë më të fortë dhe janë preludi i fitoreve. Uroj të mos bezdis asnjeri nga ju, sidoqoftë me këtë absurdin që po jetoj unë dhe familja ime. Por, kjo është realisht çnjerëzore. Faleminderit për çdo mesazh inkurajues e për çdo mbështetje zemre. Ju përqafoj të gjithëve!
Sot, pas dy seancave radhazi në Apelin e GJKKO, sot u shpall vendimi për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, i cili kërkoi lirinë nga burgu. Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën arrest me burg për kryebashkiakun Erion Veliaj. Masa ka ndryshuar për biznesmenin Elman Abule, i cili nga ‘arrest me burg’ është lënë në ‘arrest shtëpie’. Ndërkohë, e njëjta masë siguri është lënë për 3 biznesmenët e akuzuar për korrupsion në këtë çështje. Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula, janë lënë në “detyrim paraqitje”./ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente