
Adriatik Lapaj sqaron pse vendosi të atin në listën e kandidatëve për deputet
Adriatik Lapaj
TIRANË- Kryetari i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka sqaruar se përse ka vendosur të atin në vendin e parë të listës shumëemërore të kandidatëve për deputetë për qarkun e Beratit. Lapaj sqaroi se koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” do të garojë vetëm për listat e hapura, por për shkak të ligjit, i kanë mbushur vendet e sigurta me persona të afërt me ta. Sipas Lapajt, kështu mund të dalin garantë për të “zhbërë” kapjen e sistemit.
Sipas tij, e gjitha kjo po bëhet për të ndërtuar një sistem të drejtë dhe demokratik në Shqipëri, brenda mundësisë që u lejon kuadri ligjor.
“I kemi vënë prindërit për të treguar Berishës dhe Ramës, se listat e mbyllura do të tërhiqen. Dmth ideja është kjo, do të garojmë në të gjithë Shqipërinë vetëm në listat e hapura. Por ligji i mbajtur peng parashikon si detyrim që të bëhen njëherë listat e mbyllura, pastaj të hapura. Për këtë arsye, për t’i djegur këto lista, me vullnet të plotë të atyre që janë aty, që janë prindërit tanë, ne kemi vendosur që të garojmë në listat e hapura dhe prindër e të afërmit tanë do të jenë garantët për të zhbërë kapjen e sistemit. Kaq kemi në dorë për të mbajtur fjalën. Unë në Tiranë jam nga poshtë mesit, diku nga fundi…,”-thotë Lapaj në sqarimin e tij.
Tashmë, babai i tij Ferman Lapaj nuk figuron më në listën e finalizuar që është dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pasi aktualisht Aleksandër Bacaj është ai që kryeson listën në këtë qytet./ZËRI
Burimi