“A keni frikë mos po organizohet një puç?”/ Kreu i SPAK shpjegon pse nuk i përgjigjet Metës: Flas me ligj! Nuk po bëjmë mrekullira
Flutura Açka dhe Altin Dumani
TIRANË- Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani është “marrë në pyetje” edhe nga deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka. Në fjalën e saj, ajo e pyeti lidhur me ofezat që drejton ndaj tij presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. E po ashtu, e pyeti lidhur me ndonjë ndërhyrje të mundshme nga Kuvendi i Shqipërisë në kompetencat e SPAK. Sa i përket pyetjes së fundit, Dumani tha se nuk ka tagër që të komentojë veprimtarinë e Kuvendit, ndërsa sa i përket fyerjeve të drejtuara ndaj tij, u shpreh se ka zgjedhur që të mos përgjigjet.
PYETJE-PËRGJIGJE:
Açka: Këtu ka nevojë për një pastrim të kësaj stalle të Egjeut që e kemi kthyer Shqipërinë në këto 30 vite. Më ngjani me fylltarin magjik, këtë keni detyrë, por duhet t’i bini vazhdimisht dhe të mos intimidoheni nga politika. Po qesh zonja Spiropali se merret me metafora dhe e kupton se çfarë dua të them unë. Ju duhet të viheni në provë. Një nga këto vija ndarëse do jetë çështja McGonigal. Këtu brenda jemi opozita politike, kemi dhe një opozitë teknike, një nga këto çështje ka qenë ai grushti që u dhamë me ligjin e amnistrisë. A keni një farë droje se në këtë parlament, organizohet një puç për t’jua prerë ju krahët? Keni filluar t’i krijoni bezdi cave jashtë, e cave brenda. A keni frikë se do të vijë ndonjë ligj që do t’ua presë ndonjë krah? Ju kam dëgjuar shpesh që personazhë publikë kanë adresuar pyetje shumë të rënda. A është normale për ju që të kalojnë me shkujdesje fyerje publike që cënojnë integritetin tuaj?
Dumani: Në lidhje me amnistrinë ne nuk kemi asnjë të drejtë që të vlerësojmë veprimtarinë e një institucioni tjetër. Kuvendi është në të drejtën e tij për të miratuar aministrinë. Nga ky ligj kanë përfituar subjekte të cilët janë dënuar nga GJKKO. Psh. 40 persona kanë përfituar përjashtimin nga dënimi, të tjerë nga zbrita e dënimit, të tjerë nga ndjekja penale. Pra për ta përmbyllur, Kuvendi është ai që vlerëson dhe ka kompetencën për të miratuar një amnisti. Nuk e di çfarë keni parasysh me faktin që Kuvendi mund të presë një krah. SPAK është institucion i pavarur. Nuk mund të komentoj veprimtarinë e Kuvendit. Lidhur me fyerjet publike që bëhen, unë nuk kam asnjë reagim sepse kështu e kam vlerësuar. Por ajo që unë bëj bashkë me kolegët e mi të nderuar është që të përpiqemi të hetojmë çështje të suksesshme në ligj e prova për të demonstruar që SPAK po kryen, nuk po bën mrekulli, po kryen detyrën me qëllim përmbushjen e synimit për të cilin u krijua. është e vështirë por ne po përpiqemi me hapa të ngadaltë që të arrijmë majat. Jam i papërgatitur për ndotjen e Elbasanit, mund të na drejtoheni për më shumë informacion, nuk e kam këtë përgjigje./ZËRI
Burimi