
95% e prindërve pro mbylljes së Tik Tok, Rama: Më panë si mundësi që t’i shpëtoja fëmijët
Edi Rama
ELBASAN-Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me kandidatët për deputet të Elbasanit për zgjedhjet e 11 majit. Gjatë fjalës së tij, Rama komentoi dhe mbylljen e platformës së Tik Tok, ku u shpreh se 95% e prindërve të Elbasanit ishin pro vendimit.
Edi Rama: 95% nuk janë socialistë. Shumë më tepër se 5% janë demokratë që kanë mbetur jetimë por që prapë nuk kanë ku shkojnë dhe rrinë pas kënetës, janë edhe të tjerë që nuk votojnë për ne. Sepse menduan si prindër, jo si demokratë dhe socialistë. Më shihnin si mundësi që t’i shpëtoja nga ajo mortje që i ishte futur fëmijëve në trup. Më 11 maj duhet të vendosim për familjen dhe fëmijët. Një prind që ka fëmijë s’duhet ta diskutojë fare që më 11 maj jo vetëm që të shkojë votim, por të investojë që ne të futemi në BE.
Më shumë se dy muaj pas njoftimit, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për mbylljen e TikTok për 1 vit në Shqipëri. Brenda një jave apo 10 ditësh, shqiptarët nuk do të mund të aksesojnë më platformën “Tik Tok”. Vendimin e marrë e ka njoftuar Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cila pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave bëri me dije se për 12 muaj, “Tik Tok” nuk do të mund të funksionojë më brenda territorit të Shqipërisë.
Mbyllja e platformës u njoftua nga kryeministri Edi Rama në 21 dhjetor, pas një konsultimi publik. Shkak i nismës u bë vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, pasi një grup nxënësish u përfshinë në sherr me thika pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë më 18 nëntor 2024. Sa i përket vendimit, TikTok ka deklaruar se nuk ka prova që incidentet e dhunshme të përmendura janë të lidhura drejtpërdrejt me platformën e tyre./ZËRI
Burimi