70 mijë euro financim për Top Channel/ A u përdorën paratë e dhëna nga DPSHTRR për dokumentaret mbi sigurinë rrugore?

70 mijë euro financim për Top Channel/ A u përdorën paratë e dhëna nga DPSHTRR për dokumentaret mbi sigurinë rrugore?

Blendi Gonxhja

TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor i ka dhuruar televizionit Top Channel 67 mijë euro si ndihmë sociale nga fitimi i vitit 2021. “Donacioni” është bërë pasi statuti e lejonte DPSHTRR që një pjesë të fitimit ta mbante për ta “riinvestuar” brenda strukturave, ndërsa një pjesë tjetër mund ta kanalizonte për ndihma sociale. Kështu, mbështetur në këtë nen të statutit, Këshilli Drejtues i kësaj agjencie në korrik të vitit 2022 ka dhënë 67 mijë euro mbështetje financiare për televizionin Top Channel.
“Statuti e lejon DPSHTRR që një pjesë të fitimit ta mbajë për rezervë të kapitalit dhe për zhvillim. Deri në 15% mund ta ndajë për shpërblim të punonjësve dhe një pjesë tjetër, për ndihma sociale. Mbështetur në këtë nen të statutit, Këshilli Drejtues i kësaj agjencie në korrik të vitit 2022 ka dhënë 67 mijë euro mbështetje financiare për televizionin Top Channel. Ky fakt është shënuar edhe në bilancin e audituar të kësaj agjencie, por që mohohet nga DPSHTRR”, raportonte Ina Media. 
Nga ana tjetër, Vox News, pretendon se paratë nuk i janë dhuruar Top Channel, ashtu siç raportohet nga Ina Media, por kanë qenë pjesë e mbështetjes së një cikli dokumentaresh për sigurinë rrugore. Sipas medias në fjalë, paratë e dhëna nga DPSHTRR, nuk kanë mbuluar as gjysmën e kostove të dokumentarit, që synon sensibilizimin e drejtuesve të mjeteve, që të jenë më të kujdesshëm në timon. 
“Ajo që nuk thuhet në artikull është fakti që 67 mijë eurot e paguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor janë para të shpenzuara për realizimin e një serie emisionesh me titullin “N’Timon” me tematika mbi edukimin dhe sigurinë rrugor.
Shifra është gjysma e kostos së realizimit të këtyre emisioneve, rreth 40 të tilla dhe që janë lehtësisht të verifikueshme edhe sot e kësaj dite në kanalin zyrtar të Youtube të Top Channel. Objektivi është një fushatë edukuese për qytetarët në njohjen dhe respektimin e sinjalistikave rrugore nga drejtuesit e mjeteve, por edhe nga këmbësorët.
Emisione të tilla edukuese përmes masmediave nuk janë as praktikë e shpikur në Shqipëri dhe aq më pak të jenë korruptive. Qëllimi i ciklit të emisioneve është njohja e qytetarëve me kodin rrugor, rregullat e qarkullimit, edukimin në respektimin e sinjalistikës e të tjera informacione e kuriozitete…që ndoshta mund të vlejnë më së shumti për ndonjë gazetar që e ka marrë lejen e drejtimit të automjetit në moshë të vonë”, citohet në shkrim./ZËRI
Burimi