3 autorët ishin të maskuar, kjo është makina që u përdor në atentatin me 2 të plagosur në “Don Bosko”
Makina e autoreve
TIRANË- ZËRI ka siguruar foton e makinës, që u përdor në atentatin e ndodhur mesditën e djeshme në Tiranë, në zonën e Don Boskos.
Automjeti është Golf 5 dhe dyshohet se në të udhëtonin tre autorët që plagosën me armë zjarri Kastriot Elezajn dhe Renaldo Metushin teksa ishin duke konsumuar kafe në një lokal.
Pas atentatit, autorët e kanë djegur mjetin në zonën e Insitutit dhe brenda saj është gjetur edhe arma me të cilën është kryer krimi.
Mjeti dyshohet se ka pasur targat e dubluara, si dhe ndërhyrje të tjera në numrin e shasisë, që bëjnë të vështirë identifikimin e pronarit të tij.
Është zbardhur dëshmia e 22-vjeçarit Renaldo Metushi, që mbeti i plagosur mesditën e djeshme në zonën e Don Boskos në Tiranë, teksa ishte në shoqërinë e 45-vjeçarit Kastriot Elezaj, i cili mori gjithashtu dy plumba në trup. Metushi është shprehur para grupit hetimor se aktualisht është i papunë, dhe kishte dalë që të pinte një kafe me të njohurin e tij Kastriot Elezaj.
“Jam i papunë. Dola të pija kafe poshtë shtëpisë me Kastriotin”, është shprehur Metushi, ndërsa ka deklaruar se nuk ka mundur të dallojë autorët, pasi gjithçka ndodhi shumë shpejt. Edhe për shkak se arma e përdorur ka qenë me silensiator, i riu ka thënë se vetëm kur ka ndjerë një shpim në këmbë, ka kuptuar që ka mbetur i plagosur.
“Ata të lokalit ku ndodhi ngjarja i njoh, pasi kam punuar para ca kohësh si kamarier aty. Autorët nuk munda t’i shoh. Gjithçka ndodhi shpejt, vetëm kur ndjeva se diçka më shpoi në këmbë, e kuptova se isha qëlluar”.
I riu ka vijuar më tej duke thënë se as ai dhe as Elezaj nuk kanë pasur konflikte të mëparshme, dhe nuk kanë dijeni se kush mund të jenë personat që i kanë qëlluar. /ZËRI
Burimi