
17 vite nga tragjedia e ‘Gërdecit’! 26 persona humbën jetën, u plagosën 300 të tjerë

FOTO ILUSTRUESE
TIRANË-Plot 17 vite më parë 26 persona humbën jetën në një nga ngjarjen më tragjike në vend, si pasojë e shpërthimit të fabrikës së municioneve në Gërdec. 300 qytetarë të tjerë mbetën të plagosur nga shpërthimi që shkatërroi banesat në zonë.
Në 15 mars të vitit 2008 rreth orës 12:05, si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda. Si rezultat i kësaj ngjarje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 tjerëve, plagosja e lehtë e 109 personave të tjerë, dëmtime më të lehta për 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave të tjerë që u trajtuan në spitale e qendra shëndetësore.
17 vite pas tragjedisë, familjarët ende kërkojnë drejtësi për jetët e humbura, ndërsa asnjë zyrtar nuk u vu para drejtësisë për ngjarjen e ndodhur. Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse.
Aktualisht Prokuroria e Posaçme ka marrë si të pandehur ish-ministrin e mbrojtjes së kohës, Fatmir Mediu, ndaj të cilit rëndojnë akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shpërdorim i detyrës mbi bazë të kodit ushtarak”. Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur./ZËRI