11 Maji/ Proda dhe Celibashi takim në KQZ: Personat që cenojnë procesin zgjedhor do të përballen me pasoja

11 Maji/ Proda dhe Celibashi takim në KQZ: Personat që cenojnë procesin zgjedhor do të përballen me pasoja

Ilir Proda dhe Ilirjan Celibashi

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe kreu i Komisionit Qendror Zgjedhor, Ilirjan Celibashi zhvilluan sot një takim. Ata diskutuan për trajnimin dhe përgatitjen e uniformave të zyrtarëve që do të kujdesen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 11 majit.
“Në fokus të diskutimeve ishte roli i Policisë së Shtetit në mbështetje të një procesi zgjedhor të qetë dhe të besueshëm. Si garantuese e rendit dhe sigurisë, Policia e Shtetit mbetet në gatishmëri për të siguruar që qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në një mjedis të lirë dhe të paanshëm”, njofton institucioni.
Në fokus ka qenë edhe bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me KQZ, Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuzar, në kuadër të Protokollit të Koordinimit për Hetimin dhe Ndëshkimin e Krimeve Zgjedhore.
Proda dhe Celibashi nënvizuan angazhimin e strukturave për të parandaluar çdo përpjekje për të cenuar integritetin e zgjedhjeve, duke bërë të ditur se do të trajtojnë çdo rast me seriozitet dhe profesionalizëm.
“Policia e Shtetit do të zbatojë me përpikmëri detyrimet e saj ligjore dhe do të ndjekë çdo rast të denoncimit të krimeve zgjedhore, duke bashkëpunuar ngushtë me KQZ-në dhe me institucionet e tjera. Askush nuk mund të cenojë procesin zgjedhor, pa u përballur me pasojat ligjore”, tha Proda.
Proda bëri të ditur se strukturat policore janë përgatitur për të përmbushur detyrimet e tyre, me profesionalizëm dhe neutralitet të plotë. Ai theksoi se Policia e Shtetit do të jetë aktive, jo vetëm në sigurimin fizik të procesit zgjedhor, por dhe në identifikimin dhe adresimin e çdo shkeljeje të ligjit zgjedhor, në bashkëpunim me organet e drejtësisë.
Gjithashtu edhe Celibashi u shpreh se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit është i rëndësishëm për të siguruar që procesi zgjedhjet të zhvillohen të sigurta.
“Policia e Shtetit është një partner i rëndësishëm në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve tona është jetik për të krijuar një mjedis të sigurtë dhe të qetë për të gjithë votuesit”.
Gjatë takimit u diskutuan:
-Parandalimi dhe ndëshkimi i krimeve zgjedhore, siç janë blerja e votave, presionet ndaj votuesve dhe keqpërdorimi i burimeve shtetërore gjatë fushatës;
-Forcimi i bashkëpunimit mes Policisë, KQZ-së, SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme për të hetuar dhe ndëshkuar çdo shkelje të ligjit zgjedhor;
Zbatimi i masave të shtuara të sigurisë gjatë periudhës parazgjedhore, ditës së votimit dhe numërimit të votave, duke parandaluar çdo incident të mundshëm;
-Trajnimi i strukturave policore mbi detyrimet ligjore dhe procedurat që lidhen me procesin zgjedhor, duke përfshirë identifikimin dhe raportimin e veprave të paligjshme.
KQZ në bashkëpunim me SPAK kanë ngritur një task forcë, e cila do të përfshijë prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, ekspertë dhe staf administrativ mbështetës për të hetuar krimet zgjedhore. Sa i përket grupeve hetimor në terren, Prokuroria e Posaçme njoftoi se do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor./ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente