
11 Maji/ KQZ miraton modelin e fletës së votimit për zgjedhjet parlamentare
Foto ilustruese
TIRANË- Komisioni Qendor i Zgjedhjeve ka miratuar fletën e votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi pranoi propozimin e përfaqësuesit të Partisë Demokratike, Marash Logut, por shtoi se do bëhen disa korrektime për kandidatët me dy mbiemra.
“Vendimmarrja e sotme konsistonte në përmbajtjen e fletës së votimit. Si do ishin kandidatët dhe si do shfaqeshin në fletën e votimit. Duke marrë në konsiderate propozimin e zotit Logu do ta miratojmë fletën e votimit për të 12 qarqe, duke bërë këto korrektimet e kandidatëve me dy mbiemra. Kjo do të jetë përmbajtje e fletës së votimit. Kjo është për Tiranën, ndërsa për qarqet e tjera do të bëhet publike. Qëndron argumenti për të patur një njëtrajtshmëri në shkrimin e emrave të kandidateve dhe cdo gjë tjetër që lidhet me kandidatët. Ajo që ngelet e rëndësishëm për kandidatët dhe forcat politike është që si asnjëherë tjetër më parë kanë përmbajtjen e fletës së votimit gati 1 muaj para fillimit të fushatës. Ndonjëherë na është dashur që të jetë fleta e votimit edhe në fushatë”, tha Celibashi.
Kryekomisioneri tha se fleta e votimit do të jetë gati në fillim të muajit prill, gjithashtu edhe për diasporën. Ndërsa, diaspora shqiptare, pas dorëzimit të fletës së votimit do të ketë një javë kohë për të bërë zgjedhjen e tyre.
“Besoj që ne do të mbyllim procedurat e përzgjedhjes së kompanisë që do bëjë printimin dhe besoj fillimi i javës së parë ose të dytë do fillojë shpërndarja në diasporë. Mund të fillojë edhe pak më herët nëse ia dalim që procesi i printimit jashtë vendimit të prodhohet më shpejt. Votuesit nga jashtë do të kenë jo më pas se një javë kohë që ta kenë fletën e votimit për të bërë përzgjedhjen e tyre”, përfundoi kryekomisioneri.
Pas përfundimit të procedurave, në fillim të muajit prill do të hapet zyrtarisht edhe fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 maj./ZËRI
Burimi