Zgjedhjet e 11 majit, Proda takim me Celibashin në KQZ: Do ndiqet çdo rast i denoncimit të krimeve zgjedhore, bashkëpunim edhe me SPAK

Zgjedhjet e 11 majit, Proda takim me Celibashin në KQZ: Do ndiqet çdo rast i denoncimit të krimeve zgjedhore, bashkëpunim edhe me SPAK

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka zhvilluar një takim zyrtar, në ambientet e KQZ-së, me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve,  Ilirjan Celibashi.

Në fokus të diskutimeve ishte thellimi i bashkëpunimit mes institucioneve dhe diskutimi mbi përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, duke vënë theksin tek siguria, transparenca dhe respektimi i standardeve demokratike.
Kreu i Policisë së Shtetit ka shprehur mbështetje për një proces zgjedhor të qetë dhe të besueshëm.
Një pikë e rëndësishme e takimit ishte bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, në kuadër të Protokollit të Koordinimit për Hetimin dhe Ndëshkimin e Krimeve Zgjedhore. Palët ritheksuan angazhimin për të luftuar çdo përpjekje për të cenuar integritetin e zgjedhjeve, duke siguruar se çdo rast do të trajtohet me seriozitet dhe profesionalizëm.
“Policia e Shtetit do të zbatojë me përpikmëri detyrimet e saj ligjore dhe do të ndjekë çdo rast të denoncimit të krimeve zgjedhore, duke bashkëpunuar ngushtë me KQZ-në dhe me institucionet e tjera. Askush nuk mund të cenojë procesin zgjedhor, pa u përballur me pasojat ligjore.”-u shpreh Proda.
Gjithashtu, Proda theksoi se Policia do të jetë aktive, jo vetëm në sigurimin fizik të procesit zgjedhor, por dhe në identifikimin dhe adresimin e çdo shkeljeje të ligjit zgjedhor, në bashkëpunim me organet e drejtësisë.
Ndërkaq, Komisioneri Celibashi theksoi: “Policia e Shtetit është një partner i rëndësishëm në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve tona është jetik për të krijuar një mjedis të sigurtë dhe të qetë për të gjithë votuesit”.
Më tej, gjatë takimit u diskutuan në mënyrë të detajuar, aspekte të rëndësishme si:
Parandalimi dhe ndëshkimi i krimeve zgjedhore, siç janë blerja e votave, presionet ndaj votuesve dhe keqpërdorimi i burimeve shtetërore gjatë fushatës; Forcimi i bashkëpunimit mes Policisë, KQZ-së, SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme për të hetuar dhe ndëshkuar çdo shkelje të ligjit zgjedhor;Zbatimi i masave të shtuara të sigurisë gjatë periudhës parazgjedhore, ditës së votimit dhe numërimit të votave, duke parandaluar çdo incident të mundshëm; Trajnimi i strukturave policore mbi detyrimet ligjore dhe procedurat që lidhen me procesin zgjedhor, duke përfshirë identifikimin dhe raportimin e veprave të paligjshme.

Top Channel
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente