Marrëveshja Shqipëri- Kosovë- Kroaci në fushën e mbrojtjes, reagon ashpër Vuçiç: Kanë hapur “garë armësh” kundër nesh

Marrëveshja Shqipëri- Kosovë- Kroaci në fushën e mbrojtjes, reagon ashpër Vuçiç: Kanë hapur “garë armësh” kundër nesh

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Shqipëria dhe Kroacia e kanë hapur “një garë armësh” duke nënshkruar memorandum për bashkëpunim në mbrojtje me Kosovën.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia e nënshkruan një deklaratë në Tiranë më 18 mars, për ta forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, gjë që nxiti reagime në Serbi.
“Është situatë e vështirë për ne, por ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe, ne do ta ruajmë vendin tonë, do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor i mundshëm, qoftë edhe një agresor kaq i fuqishëm”, tha Vuçiq për gazetarë në Bruksel më 19 mars.
Duke folur pas një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Vuçiq theksoi se memorandumi përbën “shkelje të marrëveshjes nënrajonale” dhe se është “i bindur se NATO-ja nuk ka qenë e njoftuar për këtë”.
Ai tha se këtë çështje e ngriti në takim me shefin e aleancës veriatlantike, por nuk tregoi çfarë ka thënë Rutte në lidhje me të.
“Është detyra jonë t’ua themi zotit Rutte, njerëzve në NATO dhe gjithë të tjerëve se kjo është shkelje e të ashtuquajturës marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se me Rutten ka biseduar dhe situatën në Kosovë dhe marrëdhëniet ndërmjet Ushtrisë Serbe dhe misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, si dhe për situatën në Bosnje e Hercegovinë.
Rutte, ndërkohë, shkroi në X se me presidentin serb bisedoi për rëndësinë kritike të ruajtjes së sigurisë rajonale, si dhe se “si të vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet NATO-Serbi”.
Deklarata e nënshkruar nga ministrat e Mbrojtjes së Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës kërkon forcimin e bashkëpunimit trepalësh dhe rëndësinë e reagimit të përbashkët ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të rrezikojnë stabilitetin rajonal.
Deklarata përfshin, siç raporton Radio Televizioni Kroat, promovimin e aftësive mbrojtëse dhe bashkëpunimin midis industrive të mbrojtjes, forcimin e ndërveprimit nëpërmjet edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve, kundërvënien e kërcënimeve hibride, si dhe mbështetjen e plotë për integrimin euro-atlantik.
Deklarata lë të hapur mundësinë për vende të tjera për t’iu bashkuar asaj.
Serbia e kundërshton pavarësinë e Kosovës sepse e konsideron shtetin pjesë të saj, megjithëse dialogon me Kosovën, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në një proces që synon normalizimin e plotë të marrëdhënieve.
Më 2023, palët arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e cila, veç tjerash, i kërkon Serbisë që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Tensionet mes dy shteteve kanë qenë të larta viteve të fundit, dhe Kosova e ka fajësuar Serbinë se qëndron prapa një sërë sulmesh në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Kosova fajëson Serbinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 2023, kur u vra një polic, si dhe për një shpërthim në një kanal jetik të ujit në veriun e Kosovës nëntorin e vitit 2024./ REL

Top Channel
Burimi