
Kandidatja e komunitetit rom në Vlorë në podcastin e Ramës: Babai më thoshte të mos dorëzohesha
Ina Majko është një nga kandidatet e reja në listën e PS, në qarkun e Vlorës, e cila përfaqëson Komunitetin Rom.
E ftuar në podkastin “Flasim” së bashku me kryeministrin Edi Rama, ajo foli për sfidat e saj dhe se çfarë e shtyu që të bëhej pjesë e garës për deputete në zgjedhjet e 11 majit.
“Si fillim, shumë faleminderit që më ftove në shtëpinë tënde dhe unë nuk mund të vija duarbosh. Ju kam sjell një libër për historinë e romëve gjatë komunizmit, duke marrë shembull familjen time. Ky libër flet për të shkuarën e romëve dhe jam shumë e sigurt që bashkë do të shkruajmë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Unë quhem Ina, Ina Majko. Jam 32 vjeç, nga qyteti i Delvinës, lindur dhe rritur nga një familje romësh arsimtarësh, ku edukimi ka qenë shtylla dhe prioriteti i tyre. Kam mbaruar fakultetin e shkencave për biologji. Bëra një master jashtë shtetit për shkencat dhe politikat mjedisore. Pata mundësinë të rrija aty, por si shumë shqiptarë, u ktheva se dua të kontribuoj në vendin tim. Dua ta theksoj që Shqipëria është edhe vendi im dhe ndihet e tillë brenda meje.
Në këto momente të jetës time, punoj si copy-righter. Jap klasa në copy-righter dhe drejtoj një podkast që quhet “Romët krenarë”. Brenda shtëpisë time kam pasur dy këshilla. E para, ajo e mamit që ka dashur gjithmonë të më mbajë me këmbë në tokë, duke më thënë që kaq e kemi hapi, për të kuptuar që identiteti im etnik ka limite. Unë nuk mund të bëhem dhe nuk mund të jem si gjithë të tjerët. Pastaj vjen babi, i cili gjithmonë më ka thënë që mos u dorëzo kurrë dhe lufto. Dhe mendoj se ju e kuptoni kë kam vënë vath në vesh nga këto dy këshilla. Më vjen keq për mamin, por unë nuk jam dorëzuar kurrë dhe nuk dua që identiteti im etnik të më limitojë. Sot kam vendosur dy vathët që janë me flamurin e etnitetit tim, për t’i përfaqësuar.
Unë kam një podkast timin, ku kam imagjinuar shpesh një bisedë me ju z. kryeministër. Kam dashur t’ju kem aty dhe t’ju bëj shumë pyetje, por edhe një kritikë. Kjo kritika kishte të bënte me faktin që kur do të kemi një kandidat për deputet në listat tuaja zgjedhore. Nuk ma mori kurrë mendja që përgjigjen nuk do e merrja në podkastin tim, por në jetën reale, me z.Cuçi që dua ta falënderoj, i cili mori këtë hap historik dhe vendosi që në listë të isha unë. Dhe them që është një hap historik sepse shpesh kemi dëgjuar që romët nuk mund të jenë akademik, romët nuk mund të jenë lider, romët nuk mund të jenë vendimmarrës, por unë kam dashur gjithmonë ta thyejë këtë mentalitet dhe mendoj që bashkë me ju do ia arrijmë”, u shpreh Majko.
Top Channel
Burimi