
Kalojnë 10 projektligjet në Kuvend/ Miratohet shtyrja e afateve të komisioneve “Xhafaj” e “Braçe” dhe “Paketa e Maleve”
10 projektligjet e diskutuara këtë të enjte në Kuvend janë miratuar.
Mes tyre ishin shtyrja e afateve të Komisioneve “Xhafaj” e “Braçe”, “Paketa e Maleve” dhe hapja e zyrës së Parlamentit Evropian në Tiranë.
Kuvendi miratoi me 73 vota pro zgjatjen e mandatit deri në 30 korrik të komisionit të posaçëm Antikorrupsion të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, si dhe zgjatjen deri në përfundim të legjislaturës së X-të të mandatit të komisionit kundër Dezinformimit të drejtuar nga Erion Braçe.
“Paketa e maleve” u miratua me 73 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim.
“Paketa e Maleve” synon të mundësojë investime për zhvillimin e turizmit, rimëkëmbjen ekonomisë e nxitjen e punësimit në zonat malore.
Projektligji për “Paketën e Maleve”, ka për objekt përcaktimin e procedurave dhe të rregullave të posaçme për: shpalljen e zonave malore me përparësi zhvillimi; zhvillimin e pasurive shtetërore të poseduara pa titull pronësie nga subjektet private në këto zona, në harmoni me rregullat e legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit; kalimin e pronësisë përmes shitjes me tarifën simbolike 1 euro të këtyre pasurive të paluajtshme shtetërore, të cilat rezultojnë të jenë në posedim faktik të poseduesve jopronarë. Pas regjistrimit të kontratës së shitjes, pronari dhe investitori që ka lidhur marrëveshje me të kanë të drejtë të aplikojnë përkatësisht për pajisjen me leje ndërtimi, për pjesën e sipërfaqes në posedim për të cilën është lidhur kontrata, në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, për aq sa këto të fundit nuk bien në kundërshtim me këtë ligj. Leja e ndërtimit miratohet nga KKTU-ja.
Deputeti opozitar Bujar Leskaj, si dhe ai i PDIU-së Nusret Avdulla votuan pro në disa prej projektligjeve dhe në veçanti atë për hapjen e zyrës së Parlamentit Evropian në Shqipëri.
Top Channel
Burimi