
Java globale e parasë! Guvernatori Sejko: Rrisim edukimin financiar, sistemi i pagesave kurseu 100 mln euro
Java globale e parasë, një event i organizuar çdo vit nga Banka e Shqipërisë është hapur këtë muaj.
Rëndësia e përdorimit të parasë por dhe modernizmi i sistemit të pagesave ndër vite morën vëmendjen kryesore në ceremoninë hapëse. Guvernatori Gent Sejko u ndalë tek roli i Bankës së Shqipërisë në uljen e kostove të transfertave.
“Vetëm nga zerimi i komisioneve për pagesat deri në 20,000 lekë, u janë kursyer konsumatorëve dhe bizneseve përafërsisht 700 milionë lekë, që prej vitit 2020. Nga ana tjetër, operimi i sistemit AIPS Euro ka gjeneruar kursime të konsiderueshme, të cilat përllogariten të jenë rreth 100 milionë euro. Ndërkohë, impakti jo-monetar vlerësohet të jetë shumëfish më i lartë, nëpërmjet promovimit të pagesave elektronike të cilat reduktojnë përdorimin e cash-it dhe rrisin formalizimin e ekonomisë.”, u shpreh Gent Sejko.
Për pagesa më të shpejta, Sejko lajmëroi se do të ndërtohet edhe një sistem përdorimi nga celulari.
“Përtej inovacionit që do të promovojë ky sistem, ai pritet të ketë një impakt të konsiderueshëm si në kursimet e gjeneruara ashtu edhe në përfshirjen dhe familjarizimin e publikut me shërbimet inovative financiare.”, shtoi ai.
Me qëllim rritjen e edukimit financiar, kjo hapje e javës së parasë u shoqërua edhe me një konkurs nga fëmijët, të cilët paraqitën idetë e tyre në përdorimin e parave.
Kultura, menaxhimi i parave por dhe rreziqet financiare janë tematika e zgjedhur për 2025, me qëllim për të ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë në përdorimin e sigurt të tyre.
Banka bën thirrje që qytetarët të jenë më të kujdesshëm edhe nga mashtrimet financiare duke iu drejtuar më shumë burimeve të sigurta të informacionit.
Top Channel
Burimi