
Izraeli nuk ndal bombardimet në Gaza, konfirmohen 58 të vdekur
Të paktën 58 palestinezë janë vrarë në bombardimet izraelite në Rripin e Gazës gjatë natës dhe mëngjesit të së enjtes, sipas tri spitaleve.
Ushtria izraelite goditi shtëpitë në mes të natës, duke vrarë burra, gra dhe fëmijë derisa po flinin.
Izraeli i rifilloi bombardimet në Gazë të martën, duke e prishur armëpushimin që e kishte ndalur luftën dhe kishte ndihmuar në lirimin e disa dhjetëra pengjeve.
Qeveria izraelite e fajësoi Hamasin – grupin e shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE- për rifillimin e luftimeve, pasi grupi militant nuk e pranoi një propozim të ri që dallon nga marrëveshja e nënshkruar mes palëve.
Më shumë se 400 palestinezë u vranë vetëm të martën, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila kontrollohet nga Hamasi.
Hamasi nuk raportohet të ketë shkrepur raketa apo kryer ndonjë sulm tjetër.
Një nga sulmet në orët e para të së enjtes goditi shtëpinë e familjes Abu Daqa në Abasan al-Kabira, një fshat pranë Han Junisit, afër kufirit me Izraelin. Ushtria izraelite i kishte urdhëruar banorët e kësaj në fillim të javës që të evakuoheshin.
Në këtë sulm vrau të paktën 16 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Spitalit Evropian në afërsi, i cili pranoi kufomat. Të vrarë mbetën një baba dhe shtatë fëmijët e tij, si dhe prindërit dhe vëllai i një foshnje njëmuajshe që mbijetoi bashkë me gjyshërit e vet.
“Një tjetër natë e vështirë”, tha Hani Awad, i cili ndihmoi shpëtimtarët të kërkonin për të mbijetuar nën rrënoja. “Shtëpia u shemb mbi kokat e njerëzve”.
Izraeli, i cili gjithashtu ka ndërprerë furnizimin me ushqim, karburant dhe ndihma humanitare për rreth 2 milionë palestinezët në Gazë, është zotuar se do t’i intensifikojë operacionet derisa Hamasi t’i lirojë 59 pengjet e mbetura – 35 prej të cilave besohet të kenë vdekur – dhe të heqë dorë nga kontrolli mbi Gazë.
Administrata Trump, e cila mori meritat për ndërmjetësimin e armëpushimit, thotë se e mbështet plotësisht Izraelin.
Hamasi ka thënë se do të lirojë pengjet e mbetura vetëm në këmbim të një armëpushimi të qëndrueshëm dhe tërheqjes së plotë të Izraelit nga Gaza, siç kërkohej në marrëveshjen e armëpushimit të arritur në janar pas më shumë se një viti ndërmjetësimi nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari.
Hamasi, i cili nuk e pranon ekzistencën e Izraelit, thotë se është i gatshëm ta dorëzojë pushtetin tek Autoriteti Palestinez i mbështetur nga Perëndimi ose te ndonjë komitet i pavarur politik, por nuk do të dorëzojë armët derisa Izraeli t’i japë fund okupimit të territoreve që palestinezët i duan për një shtet të ardhshëm.
Ushtria izraelite nuk i ka komentuar ende sulmet e së enjtes.
Spitali Evropian në qytetin jugor Rafah tha se ka pranuar 26 trupa pas sulmeve gjatë natës, kryesisht gra dhe fëmijë. Spitali Nasser në Han Junis pranoi trupat e shtatë personave të vrarë në një sulm mbi një shtëpi. Në Gazën veriore, Spitali Indonezian tha se ka pranuar trupat e shtatë personave të vrarë në një sulm mbi një shtëpi në Beit Lahiya, një qytet pranë kufirit.
Lufta filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi u futën në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer 251 të tjerë. Shumica e pengjeve janë liruar përmes marrëveshjeve të armëpushimit apo marrëveshjeve të tjera. Forcat izraelite kanë shpëtuar tetë pengje gjallë dhe kanë gjetur trupat e dhjetëra të tjerave.
Lufta hakmarrëse e Izraelit, një nga më vdekjeprurëset dhe më shkatërrimtaret në historinë e fundit, ka vrarë pothuajse 49.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.
Lufta në kulmin e saj zhvendosi rreth 90% të popullsisë së Gazës dhe ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në të gjithë territorin. Qindra mijëra njerëz u kthyen në shtëpitë e tyre gjatë armëpushimit, por shumë gjetën vetëm fusha rrënojash dhe ndërtesa të shkatërruara nga bombardimet. /REL
Top Channel
Burimi