Ishte për herë të fundit me studenten e zhdukur në Punta Cana, policia konfiskon pasaportën e të riut amerikan

Ishte për herë të fundit me studenten e zhdukur në Punta Cana, policia konfiskon pasaportën e të riut amerikan

Autoritetet në Republikën Domenikane kanë konfiskuar pasaportën e të riut që është personi i fundit i njohur që ka qenë me studenten e zhdukur të Universitetit të Pittsburgh, Sudiksha Konanki, sipas një burimi të afërt me hetimin.

Prokurorja e Përgjithshme e Republikës Domenikane, Yeni Berenice Reynoso, e ka marrë në pyetje Joshua Steven Riibe gjatë fundjavës për më shumë se gjashtë orë dhe marrja në pyetje pritet të vazhdojë me një prokuror lokal, tha burimi. Riibe nuk konsiderohet i dyshuar në këtë rast dhe nuk është akuzuar për ndonjë shkelje.
Nuk është e qartë pse pasaporta e Riibe është konfiskuar. Që kur Konanki u zhduk në orët e para të 6 marsit, Riibe, një 22-vjeçar nga Rock Rapids, Iowa, dhe student i vitit të fundit në Universitetin St. Cloud State në Minesota, ka qenë nën mbikëqyrjen e policisë në Republikën Domenikane. Ai është marrë disa herë në stacionin e policisë për marrje në pyetje, thanë prindërit e tij në një deklaratë.
Konanki, 20 vjeç, u zhduk nga plazhi i hotelit “Riu República” në Punta Cana ndërsa ishte me një grup miqsh për pushimet e pranverës, duke nxitur një kërkim intensiv në tokë, ajër dhe det që ka përfshirë autoritetet nga SHBA, Republika Domenikane dhe India, vendi i lindjes së saj.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë Konankin duke dalë nga holli i hotelit me një grup miqsh rreth orës 4:15 të mëngjesit më 6 mars, tha një burim i afërt me hetimin për CNN.
Riibe i tha prokurorëve se ai dhe Konanki u goditën nga një valë e fortë dhe u tërhoqën në det, sipas televizionit domenikan “Noticias SIN”.
Kur u pyet nëse e kishte parë Konankin pas asaj nate në plazh, Riibe tha: “Pasi e pashë të largohej ndërsa ecte në ujë, nuk e pashë më kurrë.”
Mbulesa e stilit sarong e Konankit u gjet mbi një shezlong në plazh, por nuk kishte asnjë shenjë dhune, tha më parë për CNN një burim i njohur me hetimin.
Riibe u pa në plazh të dielën herët në mëngjes duke ecur me hetuesit, babanë e tij dhe avokatin e tij, raportoi NBC.Ai i tha një gazetari të NBC-së: “Thjesht po përpiqem t’i ndihmoj,” duke shtuar: “Oqeani është një vend i rrezikshëm.”Michael Chapman, sherifi i qarkut Loudon në Virxhinia, ku jeton familja e Konankit, i tha CNN se Riibe kishte qenë “shumë i hapur me detektivët tanë.” Dy detektivë nga zyra e sherifit udhëtuan në Republikën Domenikane për të intervistuar Riiben.
Sherifi tha se nuk pa “asnjë mospërputhje” në deklaratat e Riibes.
Zyrtarët domenikanë më parë thanë se po e hetonin zhdukjen e Konankit si një rast mbytjeje, por prokurorët thanë javën e kaluar se autoritetet po shqyrtojnë gjithashtu nëse zhdukja e saj mund të shkojë “përtej një ngjarjeje aksidentale të mundshme.”
Presidenti domenikan, Luis Abinader, tha të hënën se “kjo nuk është çështje e sigurisë së qytetarëve për aq sa është përcaktuar deri tani,” por se hetimet janë në vazhdim.
Ai theksoi se vendi është “jashtëzakonisht i sigurt” dhe se, pavarësisht vëmendjes së madhe mediatike që ka marrë rasti i Konankit, “të gjithë rastet e personave të zhdukur trajtohen njësoj këtu.”
“Le të presim rezultatin përfundimtar të këtij hetimi,” tha ai.
Gjithashtu të hënën, ministrja e Brendshme dhe e Policisë e vendit, “Faride Raful”, tha se autoritetet lokale po punojnë drejtpërdrejt me “FBI-në”.
“Ne e kemi hapur hetimin për këdo që mund të ketë marrë pjesë në këtë ngjarje për të hedhur dritë mbi çështjen, sepse nuk ka absolutisht asgjë për të fshehur nga ana e autoriteteve dominikane,” tha Raful, sipas CNN.
“Momentet e fundit të Konankit”
Konanki, e përshkruar nga babai i saj si një studente “ambicioze” që planifikonte të studionte mjekësinë, mbërriti në Punta Cana më 3 mars. Ajo udhëtoi me pesë studente të tjera nga Universiteti i Pittsburgh-ut, sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Loudon.
Riibe tha se ai e takoi për herë të parë Konankin në hotel, kur ai dhe një mik i tij u prezantuan me grupin e saj. Dy grupet e miqve shkuan së bashku në bar, ku pinë derisa “dikush sugjeroi të shkonim në plazh,” tha Riibe në intervistën e tij.
Në orët e para të mëngjesit të 6 marsit, pamjet e kamerave të sigurisë e tregojnë Konankin duke pirë me pesë vajza dhe dy të rinj në barin e hotelit “Riu República”. Në video, Konanki shihet e veshur me një mbulesë të bardhë, teksa përqafon dhe flet me miqtë e saj. Ndërkohë, Riibe shihet disa metra larg, i përkulur dhe duke u lëkundur në barin jashtë.
Më pas, në orën “4:15 të mëngjesit”, një kamerë sigurie e kapi grupin, përfshirë Konankin, duke hyrë në plazh, sipas policisë.
Pak para orës “5:00 të mëngjesit”, pamjet e sigurisë tregojnë pesë vajza dhe një të ri duke dalë nga plazhi, thanë për CNN dy burime të afërta me hetimin. Konanki nuk ishte mes tyre.
“Përpjekja e Riibe për ta shpëtuar Konankin”
Gjatë intervistës së tij të katërt me prokurorët, të mërkurën, Riibe përshkroi një përpjekje të vështirë për të shpëtuar Konankin pasi ata u goditën nga një valë dhe ajo u lodh duke notuar.
“M’u desh shumë kohë për ta nxjerrë nga uji. Ishte e vështirë,” tha Riibe, sipas “Noticias SIN”. Ai tha se ishte trajnuar si roje plazhi, por kishte punuar vetëm në pishina, jo në plazh.
“Gjatë gjithë kohës po përpiqesha ta ndihmoja të merrte frymë. Kjo nuk më lejonte të merrja frymë siç duhet dhe gëlltita shumë ujë. Mund të kisha humbur ndjenjat disa herë. Kur më në fund arrita në breg, e mbaja përpara meje.”
Ai tha se e pa për herë të fundit Konankin kur ajo po ecte në ujë deri në gjunjë.“Hera e fundit që e pashë, e pyeta nëse ishte mirë. Nuk e dëgjova përgjigjen e saj sepse fillova të vjell gjithë ujin e detit që kisha gëlltitur.”
“Pasi përfundova së vjelluri, shikova rreth e rrotull dhe nuk pashë askënd. Mendova se ajo kishte marrë gjërat e saj dhe ishte larguar,” tha Riibe.
“Ndihesha shumë i sëmurë dhe i lodhur. U shtriva në një shezlong dhe rashë në gjumë sepse nuk mund të shkoja më larg.”
Ai tha se dielli dhe mushkonjat e zgjuan dhe më pas shkoi në dhomën e mikut të tij për të marrë telefonin dhe pastaj u kthye në dhomën e tij për të fjetur.
“Po flija në dhomë dhe miku im më pyeti nëse e kisha parë atë; i thashë jo, mendova se kishte shkuar në dhomën e saj,” tha Riibe. Miku i tij i tha se Konanki nuk ishte kthyer kurrë në dhomën e saj, gjë që, sipas Riibes, “më habiti.”
Kur Konanki nuk u kthye në dhomë, miqtë e saj filluan ta kërkonin përpara se të njoftonin autoritetet, sipas një burimi të zbatimit të ligjit. Grupi më pas e raportoi zhdukjen e saj tek stafi i hotelit rreth orës “4:00 pasdite të enjten”, sipas zinxhirit të hoteleve “Riu”.
“Zhdukja e Konankit dhe rreziku i plazhit”
Zhdukja e Konankit ndodhi gati “dy muaj pasi katër turistë u mbytën në Punta Cana”, sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Republikës Domenikane, në të njëjtin plazh ku ajo u pa për herë të fundit.
Rrymat e fuqishme të detit i tërhoqën turistët në plazhin “Arena Gorda”, ku ndodhet hoteli “Riu República”, tha agjencia e mbrojtjes civile më 18 janar në një postim në Facebook.

Top Channel
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente