Hetimet tek Spitali Onkologjik/ Masa “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje” ndaj 7 personave të përfshirë, mes tyre mjekë dhe drejtues (EMRAT)
Gjyqtarja e Tiranës, Armela Hansantari ka vendosur masat e sigurimit ndaj 7 personave, ndër ta mjekë në Spitalin Onkologjik të QSUT-së, kirurgë, ish-zëvendës drejtoresha e Përgjithshme e spitalit dhe farmacistë e punonjës.
Masat u dhanë pas një hetimi të Prokurorisë së Tiranës për medikamentet në Spitalin Onkologjik të cilat dyshohet se shiteshin tek spitalet private.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raportoi se në hetime u përdorën blerje të stimuluara ilaçesh, prej nga ku është zbuluar se si mjekët i dërgonin pacientët në spitale.
Burimet e Prokurorisë thanë se gjatë hetimit akuza bleu citostatike (kimioterapi) për të provuat dyshimet se ilaçet spitalore shiteshin tek spitalet private.
Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest shtëpie” dhe detyrim paraqitje për:
1. Edmond Gashi (Mjek pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.penal me masën e sigurisë “Arrest shtëpie” parashikuar nga neni 237 të Kodit të Procedurës Penale.
2. Emiljano Lela (Koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” te parashikuar nga neni 248 i K.penal me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale.
3. Alketa Ymeri(Pere) (Mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 I K.penal me masën e sigurisë ““Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale.
4. Brikena Qirjazi (Zv/Drejtoreshe në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik) e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 I K.penal me masën e sigurisë ““Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale.
5. Halil Gashi i akuzuar për veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave” parashikuar nga neni 180/1 I K.penal me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale.
6. Florian Marku i akuzuar për veprën penale të “Tregtimi dhe transportimi I mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” të parashikuar nga nenet 178 e 179 I K.penal.
7. Është bërë sekuestrimi i klinikës mjekësore “Megis” dhe i është komunikuar që nuk duhet të ushtrojë aktivitetin deri në një moment të dytë.
8.Për shtetasen Drilona Kishta për të cilën ishte vendosur masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje” e akuzuar për veprën penale “Shpërdorim Detyre” parashikuar nga neni 248 i K.Penal nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal pasi kjo shtetase ka qenë jashtë shtetit dhe është vendosur njoftim në kufi.
Ata ishin të punësuar në spitalin shtetëror “Nënë Tereza” si mjekë onkologë dhe duke përdorur detyrën nuk jepnin shërbimin e duhur në spitalin shtetëror por i orientonin pacientët në spitale private për të marrë shërbimin që kërkohej nga ana e atyre.
Gjithashtu në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë por nuk vendosej në punë dhe ishte jashtë kushteve duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët.
Gjatë hetimit është bërë e mundur që ky burim të zhvendosej dhe të vendosej në dhomën adapte.
Është ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash kontrabandë të dyshuara dhe të falsifikuara dhe një shumë lekësh prej 10000 Euro në subjektin farmaceutik “Flori Farma”.
Materialet proçeduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në ngarkim të shtetasve sipërpërmendur, për veprat penale të “Kontrabandë me mallra të tjerë” Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” , “Ruajtja dhe depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”, dhe “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 174,178,179 dhe 248 të K.Penal.
Top Channel
Burimi