“Djali im ndodhet në koma, e rrahën gardianët në Burgun e Reçit”, denoncimi në Fiks Fare: Shkruan në letra se tentoi të vriste veten në qeli

“Djali im ndodhet në koma, e rrahën gardianët në Burgun e Reçit”, denoncimi në Fiks Fare: Shkruan në letra se tentoi të vriste veten në qeli

Babai i të burgosurit Edmond Piraniqi akuzoi në Fiks Fare stafin e Burgut të Reçit për dhunë dhe torturë ndaj djalit.

Sipas tij, në datën 29 qershor 2024 djali i tij është gjetur pa shenja jete dhe është dërguar më pas në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku aktualisht është në koma dhe në intubim si pasojë e dëmtimeve të rënda. Ai thotë se në letra stafi i burgut e ka shkruar se ka tentuar vetëvrasjen, por një gjë e tillë është e pavërtetë dhe se djali është gjetur në dysheme dhe me shenja të mëdha të dhunës në trup.
“Djalit i kishin ngelur edhe disa vite për të përfunduar dënimin” thotë Lulzim Pezaku, babai i Edmondit. Ai thotë se djali i tij, 44 vjeç, ka qenë shumë mirë me shëndet. Por shton se në datën 29 qershor 2024 e kanë lajmëruar se djali ishte gjetur pa shenja jete në qeli dhe e kanë çuar në Spital. “E vonuan shumë për të çuar. Ata në letra e kanë shkruar se ka tentuar të vrasë veten në qeli, por jam 1000 % i bindur se e kanë dhunuar. Më ankohej shpesh herë për dhunën atje, nga personeli i burgut. E kanë çuar në spital dhe që prej 29 qershorit është në koma. Ka shenja të mëdha në trup dhe s’ka bërë tentativë vetëvrasje, por e kanë dhunuar dhe torturuar. Mjekët e Spitalit të Shkodrës na kanë thënë se e kanë dhunuar dhe tani është në intubim. Unë kërkoj drejtësi që të zbardhet kjo ngjarje, se djali ishte 44 vjeç dhe deri më sot s’kishte pasur probleme” pohon Lulzimi.

Më tej shton se ka folur disa ditë më parë me djalin, ku ka mësuar se ai ishte në izolim dhe i ishin ndaluar telefonatat. Babai i të burgosurit thotë se djali i ka kërkuar televizor dhe s’i ka munguar asnjë gjë, pasi “unë dhe fëmijët e tjerë jemi jashtë dhe ia kemi plotësuar të gjitha”. “S’kishte arsye të vriste veten. Tani ata të Burgut as nuk na japin shpjegime asnjë gjë. Po tentojnë që ta fshehin ngjarjen. Djali ka shumë shenja në trup, nëse do të kishte tentuar të vrasë veten do kishte shenja në qafë” thotë babai i të burgosurit.
Pas ankesës, familjarët shkojnë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Në hyrje të dhomës së spitalit, të reanimacionit ku po qëndron, janë dy policë te dera që e ruajnë, teksa i burgosuri është në koma. “Të lutem mos bë foto. Ndiqe ku të duash, por me sa dimë ka ardhur edhe SHKKB-ja dhe kanë bërë veprime” pohojnë policët. Më pas, familjarët bisedojnë me doktorin, i cili thotë se në datën 29 qershor ka qenë një kolegia e tij dhe ajo ka shënuar të gjithë gjendjen në kartelë. “Është shumë keq. Ka pasur probleme dhe se doktoresha i ka shkruar në kartelë” pohon doktori.
Familjarët e pyesin se Edmondi s’ka tentuar që të vrasë veten, por e kanë dhunuar dhe ka shenja në trup. Doktori përgjigjet se për këtë do vendosë eksperti mjeko-ligjor, që duhet për në prokurori e polici dhe se ai do vijojë trajtimin. “Mjekja e ka sjellë në jetë se ka qenë shumë keq” pohon doktori. Familjarët e pyesin se burgu e ka shkruar në letra se ka tentuar të vetëvritet, ndërkohë ai i thotë se duhen hapur kamerat e sigurisë në burg për të parë se çfarë ka ngjarë. “Hapni kamerat dhe atje duket gjithçka. Merrni avokat dhe ndiqeni” i thotë mjeku, i cili pranon gjendjen e rëndë të të burgosurit.
Familjarët shkojnë edhe në Burgun e Reçit dhe kërkojnë infermieren dhe drejtorin. Fillimisht u thonë se infermierja është në regjimin e brendshëm dhe se do të vijë. Por, pasi presin shumë kohë, u thonë se “nuk vjen”. Më pas telefonojnë drejtorin dhe i kërkojnë informacion për ngjarjen, dhe nga ana tjetër ai i thotë se “më merrni më vonë” dhe mezi flet në telefon.
Fiksi shkon në Burgun e Reçit, ku kërkojnë drejtorin, por ai refuzon të jap shpjegime. Fiksi e pyet burgun se çfarë ka ndodhur në datën 29 qershor? Kush e gjeti dhe kush e çoi në spital? Burgu i Reçit na ktheu përgjigje se i dënuari ka diagnozë “çrregullim psikik”. Por, nëse ka këtë diagnozë, përse u la në burgun e Reçit? Të burgosurit me probleme shëndetësore vuajnë dënimin në Burgun e Fushë Krujës, pas mbylljes së Zaharisë në Krujë. Burgu thotë se i dënuari është gjetur nga gardianët më 29 qershor në orën 21.20 minuta, i varur me çarçafin në zgarën e dritares, në dhomën e veçimit. Në këtë dhomë është futur në orën 20.48.
Sipas tyre, në orën 21.31 minuta është vendosur në ambulancë dhe është transportuar në spital me shenja jete. Pyetjes se përse në trupin e të dënuarit ka shenja dhune, burgu pohon se nuk konstatohet se është ushtruar dhunë, por ky rast i takon prokurorisë për ta hetuar, e cila ka sekuestruar edhe pamjet filmike.
Më tej, burgu shton se i dënuari është shoqëruar në datë 6 qershor në ambientet e Veçimit, pasi ka qëlluar një bashkëvuajtës. Për këtë ngjarje është dënuar me 14 ditë në veçim. Në datë 10 qershor në dhomën e veçimit ka tentuar të djegë dhomën dhe në këtë rast ka dhunuar gardianët.
Ditën e ngjarjes, thotë Burgu i Reçit, i burgosuri ka ofenduar policët në dhomën e tij të zakonshme. Ai ka marrë ilaçet dhe sërish nuk është qetësuar. Më pas është dërguar sërish në izolim dhe disa minuta më vonë, është gjetur në kushte të rënda shëndetësore.
Ngjarja e datës 29 qershor ka disa pikëpyetje? Përse u la një i dënuar me këtë diagnozë në atë institucion? Çfarë donte grupi i gatshëm në qeli dhe përse është transferuar disa herë, nga qelia në izolim? Natyrisht, pamjet filmike mund të zbardhin të gjithë dinamikën, pretendimet e familjarëve, apo edhe mbrojtjen e burgut. Por, pamjet janë vetëm në korridore dhe jo në dhoma! Veprimet apo mosveprimet e atij institucioni, sollën që i burgosuri të jetë në gjendje kritike për jetën, në koma prej 4 ditësh.
***
Spitali Rajonal, Shkodër, 2 policë qëndrojnë në Reanimacion!
Qytetari – Si kaluat?
Polici – Ça bane,
Qytetari – Është njëna 0 (parametër)?
Infermieri – S’ka gjë! Një tash ishte edhe infermierja.
Qytetari – Këtu i ka pas krahët e nximë, nga këtu deri këtu. Të dyja krahët i ka pas të nximë, ka pas të nximë edhe këtu te brinjët. Po tani i kanë ikur të nximët, tani ka të nximë vetëm te sytë. Shiko te sytë i ka një e ka më shumë një e ka më pak. Te kapakët e syrit. Edhe doktorët më kanë thënë herën e parë që ka ardhur pa shenja jete.
Infermieri – Po!
Qytetari – Nuk ka shenjë në fyt, ka pasur vetëm shenja dhune në trup. Ti ke qenë në grup të gatshëm atë natë?
Polici – Jo, s’kam qenë unë. Pse ça të thanë ka ardhur pa shenja jete këtu?
Qytetari – Shenja dhune ka pasur, i kam fotot unë.
Polici 2 – Jo ka pas shenja jete?
Qytetari – Jo ka ardh pa shenja jete.
Polici – Ku i ke fotot ti?
Qytetari – Pse ku i kam fotot, do me i pa fotot?
Polici – Po.
Qytetari – I kam krejt fotot. A keni ndonjë hall pse i kam bërë foto vëllait?
Polici – Po.
Qytetari – Ça halli keni?
Polici – Nuk lejohet mo vlla.
Qytetari – Si mor nuk lejohet?! S’lejohet me shenja dhune vëllai im në trup?!
Polici – Dëgjoje shokun tënd një sekondë. Edhe një tash nuk lejohet me i bo.
Qytetari – Unë kam të drejtën time 100 % se është im vëlla.
Polici – Dëgjo një sekondë.
Qytetari – Unë kësaj çështje do ti shkoj deri në fund.
Polici – Mund t’i shkosh kujt të duash ti mor vëlla.
Polici 2 – Se kanë ardhur prej Tirane dhe janë marrë.
Qytetari – E di që janë duke u marrë po me këtë punë do të merrem edhe unë. Sepse është im vëlla.
Polici – Dakort, e ke të drejtën tënde.
Polici 2 – Një sekondë për kështu njerzillik, se edhe ti ke hall. Unë të kuptoj se ke hall. Se ke hall ne të bëjmë tolerim. Por me të drejtë s’e ke të drejtën për me i bë foto.
Polici 2 – E dëgjove se ç’të tha ai robi, për me i bë foto ti aty, ne na bën dëm. Me sa di unë ia kanë bërë të tana gjanat.
Qytetari – Ça të tana? Mbasi i kanë hyrë në dhomë dhe e kanë rrah?!
Polici – Jo, jo ia ka bërë SHKBB-ja të tana procedurat.
Qytetari – E di se kam fol.
***
Qytetari – Shikoje pak, kjo thotë …
Babai i të burgosurit – Ky mjeko-ligjori ka shkruar të gjitha manipulimet. Shikoje atje që nuk është vetëvarje, se po të ishte vetëvarje …
Doktori – Nuk e di as …, një sekondë pra. Kur kam qenë atje të kam thënë as është as nuk është. Vetëvarja ka shenja të tjera.
Babai i të burgosurit – Po pra. Po të ishte ku i ka ato shenja?
Doktori – Po të lutem, ne jemi duke të informu për jetën e djalit tënd. Dhe kjo është as mjeku që ka firmos, as mjeko-ligjori, as prokurori dhe as avokati. Unë po të flas në aspektin njerëzor me ju tregu të vërtetën që flas se është halli i madh që ju ka ranë. Eksperti ka kërkuar mjeko-ligjorin. Ky Dhori Toshi është eksperti mjeko-ligjor. Ka konstatu atë që ka konstatu dhe ka kërkuar mjeko-ligjor. Atëherë dhe shkruan këtu. Çfarë dëmtimesh ka ky shtetas? Ia kërkon mjekut-ligjor, do me ditë edhe ky oficeri i policisë, do me e ditë edhe ky për vete për konkluzionet e mjekut-ligjor. Me çfarë i janë shkaktuar, në çfarë grade janë dhe ça pasojash kanë sjellë?
Qytetari – Po ta shohësh në fillim pretendojnë se është gjetur i vetëvarur në litar me çarçafë!
Doktori – Unë këtë hipotekzë e kam mësuar prej doktoreshës. Kështu i kanë thënë edhe doktoreshës ata.
Qytetari – A i kanë thënë ata, normal?!
Doktori – Edhe ajo më ka thënë se është gjetur i vetëvarur. Po s’i ka interesuar, është gjetur i vetëvarur me rrobë … I ka interesu një pacient që vjen pa shenja jete me e kthy në jetë. Këtë punë bën mjeku këtu. Kurse mjeku-ligjor, sheh ça ka ndodh, tek ka ndodh, ça dëmtimesh ka në kokë, ça dëmtimesh ka në gjoks se bëhet … larg qoftë autopsia se ka raste. Është gjetur i vetëvarur shkruan këtu?
Qytetari – Po është gjetur i vetëvarur.
Doktori – Me çarçaf në godinën 5. Pika që ju nuk jeni të qartë është kjo këtu (te shkresa) që është gjetur i vetëvarur! Dhe i kërkon oficerit të policisë ne dyshojmë se vëllau jonë ka vrarë veten. Unë s’kam kurrgjë, mund të ketë qenë i vetëvarur, por unë du me pa kamerat.
Qytetari – Du pjesën që është mbajtur.
Doktori – Procesverbalin e mjekut dhe infermieret që kanë qenë në spital. Kjo është. Pra pika që ju keni obsesion është kjo këtu, dmth që i gjetur i vetëvarur. S’jeni të qartë që ka qenë i vetëvarur, i rrahur. Aa ça ka ndodh, a e kupton. A e ka varur kush a e kupton?
Motra e të burgosurit – Du me thënë, nga ana jote flasim si prind, ka shenja, të vazhdojmë, ta ndjekim?
Doktori – Më fal një sekondë, po të flas si me të kenë vajzën tëme. Ditën kur e kam parë unë, e kam pyet. Ditën kur ka ardhur aty, ka ardh në 10 sahati, që kam filluar punë kam parë pacientët e mi. Ajo ka bërë procedurat më vete, ja kam parë dhe … Nuk ka qenë pacienti im, tash po e ndjek se s’ka kush e ndjek se s’ka qenë (doktoresha). Atëherë unë ju sugjeroj pa folur, pa zhurmë, se s’ju ka borxh kërrkush, i thoni kërrkujt s’jam i bindur zotëri për këtë pjesën këtu që është vetëvar. A ka mundësi se vëllai ka ardh, cila është mënyra. Mandej sa keni fuqi, sepse fuqinë e ka avokati e ka tjetërkush. Flitni me një avokat me një njeriun tuaj që mos t’ju shpenzojë me gjëra kot. Dhe ai (avokati) ka të drejtën hap padi që unë s’jam i bindur që ky person prej arsyes këtu (vetëvarjes). Mund të jetë, por unë kam të drejtën me hedh obsesione. I mbledhin faktet, shikohen pamjet, shikohen këto që ka kalu. Se kam parë i kanë thënë policie, se është gjetur i varur. Dhe policit i kanë thënë, i ka thënë mjeku, infermieria dhe stafi
Qytetari – Që është gjetur i varur, pikë mbaroi muhabeti.
Doktori – Ee. Merrni një avokat të mirë …

Top Channel
Burimi