34-vjetori i themelimit të Partisë Demokratike, Meta urim nga burgu: Kjo ditëlindje e gjen PD-në më të motivuar
Ish-presidenti Ilir Meta ka uruar nga burgu 34-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social, Facebook, kreu i PL-së, shprehet se kjo ditëlindje e gjen PD-në më të fortë, bashkuar dhe më të motivuar për mbrojtjen e lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Ndër të tjera, ai shprehet se “Jam i bindur se viti që po vjen do të jetë viti i një ndryshimi historik dhe i rivendosjes së plotë dhe të pakthyeshme të pluralizmit politik në vend.”
Reagimi i plotë:
Urimet më të përzemërta Partisë Demokratike, forcës së parë që solli pluralizimin politik dhe demokracinë në vend, me rastin e 34-vjetorit të themelimit dhe shumë suksese të reja në përmbushjen e përgjegjësive tepër të rëndësishme për të ardhmen e vendit.
Kjo ditëlindje e gjen Partinë Demokratike më të fortë, më të bashkuar dhe më të motivuar në mbrojtje të vlerave të lirisë, demokracisë, interesave kombëtare dhe shtetit të së drejtës përballë përpjekjeve kriminale të Narkoshtetit dhe MgGonigalëve për ta asgjësuar atë dhe pluralizmin politik.
Një urim të ngrohtë për liderin e saj historik, Prof. Dr. Sali Berisha, për themeluesit, drejtuesit, anëtarët dhe simpatizantët e PD.
Mirënjohje edhe për të gjithë rithemeluesit e 11 Dhjetorit, të cilët me shumë dinjitet dhe vendosmëri nuk i braktisën vlerat mbi të cilat u themelua Partia Demokratike 34 vite më parë, por refuzuan me përbuzje edhe kërcënimet “për të ngrënë bar” duke dëshmuar se nuk janë bagëti, por janë shqiptarë me dinjitet në themel të të cilëve qëndron liria, sovraniteti dhe atdhedashuria.
Jam i bindur se viti që po vjen do të jetë viti i një ndryshimi historik dhe i rivendosjes së plotë dhe të pakthyeshme të pluralizmit politik në vend.
Top Channel
Burimi