100 turistë marrin ndihmë mjekësore çdo ditë! Brenda urgjencës së Sarandës, mjekët tregojnë rastet e ndryshme, nga temperaturat e larta te alkooli
Ina Daja, mjeke e përgjithshme e urgjencës në spitalin e Sarandës udhëheq një ekip që përballon mesatarisht 80-100 raste të urgjencave, të të gjitha llojeve çdo ditë.
Të gjithë punojnë me orare të zgjatura, ndërsa shtretërit e urgjencës janë vazhdimisht të zënë me pacientë të prekur nga virozat e stinës, intoksikimet nga ushqimi, pijet, narkotikët apo traumat.
Një pjesë e diagnozave lidhen me stinën e verës, temperaturat e larta dhe ekspozimin e gjatë në diell.
“Kjo ngarkesë lidhet me fillimin e sezonit turistik. Që prej qershorit situata në spitalin e Sarandës ka qenë më e ngarkuar. Për 24 orë trajtojmë 80-100 vizita që janë kryesisht pushues të huaj, por edhe shqiptarë me patologji të ndryshme. Këtë muaj, qershorin dhe korrikun ka mbizotëruar temperatura dhe patologji gastrointestinale që shoqërohen me diarre dhe me të vjella. Ka raste që janë paraqitur me konsumim alkooli por edhe të substancave narkotike”, tregon mjekja.
Megjithë ndihmën që ofrojnë dy qendrat verore shëndetësore në Borsh dhe Ksamil, fluksi i emergjencave drejt spitalit të Sarandës nuk ndalet. Çdo ditë ka të lënduar në det, rrëzime nga shkëmbinjtë, lëndime prej aksidenteve me motora, lëndimeve prej konflikteve, emergjenca prej alkoolit dhe drogës. Rastet e rënda janë referuar vazhdimisht drejt Tiranës.
“Sivjet ka pasur trauma jo aq prezente sa vitin e kaluar. Kanë qenë trauma të menaxhueshme. Disa trauma që kanë qenë më të mëdha janë transferuar me ambulancë ose helikopter në Tiranë. Kemi vetëm një rast të rëndë, një vajzë 13 vjeçe që u transportua me helikopter në Tiranë”, tha Daja.
Edhe pavioni i pediatrisë po jeton ditë intensive. Në një masë të madhe pacientët edhe në pediatri janë pushues. Mjekja pediatre Bardha Kuçuku tregon se rutina e ditëve të verës në spital lidhet me trajtimin e virozave, por edhe rastet mjaft të shprehura të Covid.
“Tani në verë kemi probleme gastrointestinale të ndërthurrura edhe me probleme pulmonare. Kemi raste që na vijnë me të vjella temperaturë të lartë por aty këtu na del edhe Covid, psh 4 raste i kisha dje me Covid. Por nuk është e pazakontë. Është një gjendje virale si gjithë të tjerat. Covid-i tani ka ndryshuar e nuk ka më atë agresivitet që kishte më parë. Por ka probleme të tjera. Kemi pasur raste në gjendje të rëndë që i kemi çuar në Tiranë. Mes tyre ka edhe të huaj”, tha Bardha Kuçuku, pediatre.
Spitali i Sarandës ka një kapacitet prej rreth 100 shtretërish dhe një xhiro mesatare të shtretërve 47% .Institucioni me rreth 30 mjekë dhe 100 infermierë përballon cdo verë kapacitet të 5 fishuar të pacientëve që kalojnë pushimet në Sarandë.
Top Channel
Burimi