
Vasseur: Në Australi nuk pamë Ferrarin e vërtetë, në Kinë situata do të jetë ndryshe
Një vend i tetë me Charles Leclerc dhe një vend i dhjetë me Lewis Hamilton nuk ishte rezultati që Ferrari kishte ëndërruar në garën e parë sezonale të Formula 1 zhvilluar në Australi. “Për fat do të garojmë sërish këtë fundjavë dhe besojmë se situata do të jetë ndryshe”, tha Frederic Vasseur, shefi i makinës italiane.
Drejtori i Ferrari nuk mungoi t’u rikthehet vendimeve strategjike jo fort të sakta të marra në pistën e lagur të Melburn: “Nuk mendoj se gara tregoi potencialin e vërtetë. Të premten ishim në formë të mirë dhe në një pozicion të mirë. Mendoj se humbëm pak ritmin në kualifikime dhe gara ishte pak më e vështirë. Gjithsesi, kjo nuk është pamja e vërtetë e Ferrari”.
“Ne duhet të kemi gjithmonë parasysh se në garat e fundit të vitit të kaluar ne, McLaren, Red Bull dhe Mercedes fituam të gjithë me diferencë të madhe”, kujton drejtuesi francez, që më tej shtoi: “Mercedes po fluturonte në Las Vegas, ne fituam në Meksikë dhe Austin. Pra, situata ndryshonte fundjavë pas fundjave”.
“Në fund të fundit, beteja është e ashpër dhe nëse nuk e përgatit mirë fundjavën, duke përshtatur makinën dhe gomat me temperaturën e pistës, atëherë e gjen veten krejtësisht jashtë dritares së performancës. Fundjavën e ardhshme do të jetë një histori ndryshe”, u shpreh Frederic Vasseur”.
Burimi