Tyson Fury rrëfen ngjarjen e rëndë: Gruaja ime pati abort një ditë para duelit me Usyk, nuk isha pranë saj
Tyson Fury ka zbuluar se u prek nga një fatkeqësi personale një ditë para sfidës me Oleksandr Usyk, në maj të këtij viti. Bashkëshortja e tij Paris Fury ishte gjashtë muajshe shtatzënë me fëmijën e tetë, një djalë, por ajo abortoi një ditë para “Gypsy King” të duelonte ndaj ukrainasit në Ryad të Arabisë Saudite.
Fury mësoi për abortin e gruas së tij kur ai u kthye në shtëpi, një ditë para duelit, ku u mund dhe humbi titullin kampion bote në peshën e rëndë (kategoria WBC). Kjo ishte edhe humbja e parë e boksierit britanik në karrierën e tij. Tashmë palët përgatiten për revanshin, më 21 dhjetor të këtij viti.
Fury foli për këtë temë për herë të parë në konferencën për shtyp: “Fëmija që ajo kishte, e humbi të premten e duelit. Ajo ishte në muajin e gjashtë shtatzënë, ndaj nuk ishte e lehtë. Duhet të lindësh fizikisht një fëmijë të vdekur, vetëm, ndërsa bashkëshorti yt është në një vend të huaj dhe gati për sfidë. Të kalosh vetë këtë nuk është mirë”.
“Unë nuk mund të isha aty me Paris në atë moment. Dhe kjo ishte e vështirë për mua. Unë kam qenë me gruan gjatë gjithë kohës, por jo në atë moment, kështu që ishte një moment tronditës. Kur ajo tha se nuk mund të vinte, e dija se kishte një problem. Ajo zakonisht vjen në javën e luftimeve, por tha se kishte presion të lartë të gjakut”, tha Fury.
“Turki Alalshikh na ofroi një avion privat dhe tha se mund të sillte mjekun me vete, por Paris tha se nuk mund të vinte. E pyeta se çfarë ishte dhe i kërkova të më tregonte, por ajo nuk donte. Kështu që e dija se kishte një problem. Ajo kurrë nuk më tha se e kishte humbur fëmijën, por unë e dija. Kur u ktheva mora konfirmimin e pashmangshëm”, thotë Tyson Fury.
Më tej, Fury tha: “Ky nuk është një justifikim për humbjen. Unë jam një njeri i nderit. Unë bëj atë që duhet të bëj kur jam në ring. Nuk mendoj për gjëra të tilla kur jam në ring. Asgjë jashtë ringut nuk ka rëndësi në atë moment, nuk ka asnjë emocion. Mendoni për të gjitha ato gjëra më pas”.
Burimi