Sylvinho sqaron polemikat e krijuara mbi listën, fton Uzunin në vend të Brojës së pamundur
Trajneri i kombëtares, Sylvinho, doli në konferencë për shtyp, ku analizoi para gazetarëve listën e publikuar para pak ditësh, e cila shkaktoi jo pak polemika, ndërsa bëri edhe prognozën e dy sfidave të shtatorit në Ligën e Kombeve, ndaj Urainës dhe Gjeorgjisë.
“Pikë së pari dua të falënderoj të gjithë federatën, edhe shumë prej jush që më keni dërguar mesazhe në një moment të vështirë (humbjen e nënës). Faleminderit të gjtihëve, edhe lojtarëve për mbështetjen në një moment që nuk është i thjeshtë, por kështu është jeta.
Pikë së pari, dua t’ju bëj me dije se Broja nuk është më në listë, është jashtë saj. Ne kemi pritur deri në fund, edhe dje ishim në kontakt me Evertonin, stafin, të gjithë atje. Ai kishte një problem me tendinin e Akilit, ka nisur përgatitjen, por e dimë që është jashtë fushave për 10-15 ditët e ardhshme, nuk mund të na ndihmojë. Më vjen keq për të, i uroj rikuperim të shpejtë. Kemi nisur ftesën për Uzunin, i cili nesër mund të jetë me ne.
Kur flasim për listën e madhe mua më duhet të zgjedh. Muçi është i rëndësishëm, e kemi pasur edhe në Europian. Kemi punuar me stafin dhe kemi preferuar Asanin, si opsion tjetër kemi Muçollin, i cili është i dëmtuar. Nuk mund të zgjedh më shumë se 24 lojtarë, Muçi është i rëndësishëm dhe do të jetë në vazhdim me ne.
Etrit Berisha? Unë e kam thënë gjithmonë që kombëtarja është e hapur, në këtë moment futbollisti nuk ka ekip. Është moment i veçantë, sepse lojtarët vijnë edhe nga pushimet. Ka 30-35 ditë pushime, shumë kanë bërë fazën përgatitore dhe vijnë të ngarkuar. Lojtari që nuk ka ekip humb shumë, sepse nuk stërvitet.
Dyert e kombëtares janë të hapura, punojmë me gjithë stafin për t’u përmirësuar gjithmonë, në çdo aspekt. I ndjekim lojtarët shqiptarë kudo nëpër botë. Në momentin që kemi 3 milionë këtu dhe 9 milionë jashtë vendit, pjesë e punës është ta kemi një sy e një vesh edhe në Zvicër, Itali, Gjermani, kudo. Kjo është një punë e vështirë, që duhet ta bëjmë me profesionalizëm.
Brajan Gruda? Është një lojtar me nënshtetësi të dyfishtë, po flasim, por gjërat bëhen me qetësi, profesionalizëm, kur na intereson lojtari. Nuk mund të them nëse është bërë gjë apo jo, po flasim. Janë shumë lojtarë që ndiqen, nuk mund të them me saktësi si po veprojmë. Është një punë shumë e bukur, një ditë mund të flasim për gjëra të tilla.
Liga e Kombeve? Është një kompeticion i rëndësishëm, Ukraina, Gjerogjia dhe Çekia kanë skuadra të forta, do të jenë ndeshje të forta. Nuk më pëlqen të bëj eksperimente. Në këtë listë janë dy të rinj, Zeka dhe Spahiu, që janë thirrur për herë të parë. Shkojmë në fushë për të prezantuar njerëzit dhe përfaqësuar një komb, duhet të luajmë me shpirt dhe zemër.
Uzuni ka ardhur tek ne si sulmues anësor, ka luajtur në Varshavë, ka luajtur titullar në shtëpi ndaj Moldavisë, por ka një vit e gjysmë që aktivizohet me Granadën si sulmues i dytë. Unë e kam parë si qendërsulmues, e kemi vlerësuar gjithmonë si një sulmues qendre. Seferi e ka marrë vendin me meritë, ka ardhur Hoxha, është edhe Bajrami. Uzuni është qendër sulmues për ne, për për këtë arsye nuk u ftua.
Personale me të nuk kemi asgjë, ajo që ka rëndësi është vetëm fusha. Ia them vetes, stafit, presidentit, ka vlerë vetëm fusha. Ne duam që lojtari të dalë në fushë dhe të bëjë mirë. Personale, absolutisht asgjë. Për këto dy ndeshje nuk luan dot Broja, ndaj është momenti i tij. Uzuni është lojtar me karakteristike të ndryshme si qendërsulmues, nuk është i madh fizikisht, por është i shpejtë dhe kërkon hapësirën. Është ndryshe nga Broja e Manaj, ndoshta një lojtar i ngjashëm me të është Çuni, por nuk është momenti, është momenti i Uzunit.
Ky është një cikël i ri i nisur, që duam ende ta përmirësojmë, në çdo aspekt. Jemi në rritje, por nuk kemi hapësira kohore pune për të eksperimentuar. Ne duhet të shkojmë drejt objektivit, të punojmë ditët e grumbullimit dhe të “flasim” në fushë. Pas Europianit kemi më shumë eksperiencë, lojtarët kanë dhënë shumë. Sidoqoftë, duhet të rritemi se kemi të rinj, me shumë dëshirë për të bërë mirë. Duhet ta përmirësojmë skuadrën, të bëjmë diçka të bukur, t’i përfaqësojmë shqiptarët si duhet në fushë, me zemër dhe shpirt. Kjo është ajo që duam të arrijmë në vitin e ardhshëm”.
Disa fjalë për të tërhequrit së fundi nga kombëtarja: “Kam një vit e gjysëm këtu, flasim për dy lojtarë që kanë bërë historinë me Shqipërinë. E di që kanë bërë mesazhe në Instagram, kam qenë trajner i të dyve. Dua ta falënderoj Cikalleshin dhe Gjasulën. Edhe në emër të federatës, dua të tregoj mirënjohjen për Sokolin dhe Klausin, dy lojarë që kanë dhënë kontribut të madh në fushë me fanellën kuqezi, gjithmonë me përkushtim, të palodhur në çdo ndeshje. Dua t’i falënderoj për punën dhe zemrën që kanë treguar të dy në mënyrë perfekte për ne”.
Burimi