F1 tronditet nga lamtumira e ish-menaxherit të njohur, bëri të mundur debutimin e Michael Schumacher
Në prag të garës së Çmimit të Madh të Kinës në Formula 1, një lajm tronditës ka pushtuar këtë sport. Në moshën 76-vjeçare, ka ndërruar jetë Eddie Jordan, pronari i skuadrës me të njëjtin emër që ishte protagonist në cirkuit nga viti 1991 deri në vitin 2005.
Jordan, nga Irlanda, ishte i sëmurë prej disa kohësh dhe kishte luftuar me kancerin vitin e kaluar. Në vitin 1991 ai i dha mundësi një piloti të ri si Michael Schumacher të bëjë debutimin e tij në Formula 1, në garën e SPA, në Belgjikë.
Me makinën e tij kanë pilotuar mjaft kampionë si Rubens Barrichello, Eddie Irvine, një tjetër kampionin bote sir Damon Hill, Giancarlo Fisichella dhe Heinz-Harald Frentzen. Fitorja e fundit në Formula 1 daton në vitin 2003 me Giancarlo Fisichella në Interlagos.
Në total, skuadra e themeluar nga Jordani mori pjesë në 250 gara, duke fituar katër prej tyre. Rezultati më i mirë i kësaj skuadre në historinë e saj ishte vendi i tretë në botërorin e vitit 1999 për konstruktorë.
2005 ishte viti i tij i fundit në F1 përpara se të ndahej me Midland, i cili më vonë u bë Spyker dhe, më në fund, Force India në 2008. Nga “hiri” i atij ekipi doli skuadra e Aston Martin, që merr pjesë aktualisht në Formula 1.
Lajmi u bë i ditur nga familja e sipërmarrësit: “Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Eddie Jordan, ish-pronar i ekipit të Formula 1, ekspert televiziv dhe sipërmarrës”.
Vitin e kaluar, vetë Jordan zbuloi publikisht sëmundjen e tij, duke i inkurajuar burrat që t’i nënshtroheshin kontrolleve të rregullta mjekësore.
Burimi