seanca ne kuved
TIRANË- Me 73 vota kundër, është rrëzuar kërkesa e Partisë Demokratike për mocion me debat për programin qeverisës.
PD kërkoi ripërsëritjen e seancës së shtatorit kur u miratua pa votat e opozitës programi qeverisës i PS, por opozita atë seancë vendosi të braktisë punimet e Kuvendit.
Ndërkohë gjatë fjalës së tij sot, kreu i grupit të PS Taulant Balla tha se PD duhet t’i sjellë kërkesat sipas rregullores për të gjetur dakordësi nga mazhoranca.
“Kemi bërë një diskutim, në fakt kemi bërë 3 diskutime për 3 mocione të ndryshme me debat. Jam informuar që do të kemi një diskutim tjetër brenda afatit 3-ditor që përcakton rregullorja. Zonja dhe zotërinj, për sa i përket rregullores për mocionet, është shumë e qartë. Më e thjeshta është seanca e pyetje-përgjigjeve, për të shkuar te interpelanca, mocioni me debat apo komisioni hetimor. Sa i përket kërkesës suaj që lidhet me nenin 98, po e lexoj. Neni 98: mocionet – një kryetar grupi ose 7 deputetë mund të paraqesin një mocion për një zhvillim debati në Kuvend për një çështje të veçantë, dhe në fund mund të paraqitet edhe një rezolutë.
Kam një kërkesë nga kreu i grupit parlamentar të PD, që kërkon jo një çështje të veçantë, por disa çështje të veçanta; një kërkon bilancin e qeverisë nga 2013 e deri te 2025. A është kjo e veçantë? Duam, thotë, përveç kësaj edhe një çështje tjetër që ka të bëjë me programin qeverisës për periudhën në vijim. Pra, e thënë ndryshe, e dogjëm mundësinë ta bëjmë me 8 shtator, dhe të shfrytëzojmë këtë nen të rregullores dhe të kthehemi mbrapsht më 13 shtator. E kuptoj që kërkesat i keni bërë vetë të mangëta, sakate. E kuptoj që ju i sillni kërkesat vetë të mangëta, sepse ju vetë nuk doni të bëni një debat, sepse unë nuk mund të pranoj dot asnjë kërkesë që bie në kundërshtim me rregulloren.”, tha kreu i grupit parlamentar të PS-së.









