
SYRI TV/ Ekspozita ‘Ngjyrat e fjalës së Xhevahir Spahiut’, një jetë e shkruar me poezi
Ekspozita “Ngjyrat e fjalës së Xhevahir Spahiut” në Bibliotekën Kombëtare solli në vëmendje krijimtarinë dhe kontributin e tij si poet, mentor dhe redaktor i letërsisë botërore në shqip. Pirro Misha, Besnik Mustafaj, Bashkim Kuçuku dhe Behar Gjoka vlerësuan figurën e tij si një nga zërat më të rëndësishëm të lirikës shqipe, duke theksuar ndikimin e tij në brezat pasardhës dhe përjetësinë e poezisë së tij.
Biblioteka Kombëtare hapi dyert për ekspozitën “Ngjyrat e fjalës së Xhevahir Spahiut”, një ngjarje që nderon një nga figurat më të rëndësishme të poezisë shqipe. Shkrimtari u vlerësua si poet, mentor dhe përkthyes i letërsisë botërore në shqip. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, vlerësoi punën e Spahiut si redaktor dhe sjellës i letërsisë botërore në Shqipëri, duke theksuar se:
Janë shumë poetë botërorë që kanë brenda faqeve Xhevahir Spahiun redaktor. Është një dimension që mund të mos duket aq i rëndësishëm sa krijimtaria, por është po aq i nevojshëm për të plotësuar figurën e tij.
Nga ana tjetër, Besnik Mustafaj solli një moment personal, duke kujtuar sesi Xhevahir Spahiu ndikoi në hapat e tij të parë në letërsi:
Kur isha në shkollë të mesme, çova librin tim të parë me poezi te shtëpia botuese ‘Naim Frashëri’ dhe qëlloi që recensues ishte Xhevahir Spahiu. U bë mentori im në rrugën e letërsisë. Ky mund të duket një aspekt dytësor, por është thelbësor, sidomos në letërsitë e popujve të vegjël, ku brezat ndihmojnë pasardhësit. Kur brezat e rinj të mbajnë mbi supe dhe të njohin si mjeshtër, atëherë një shkrimtar ka siguruar përjetësinë.
Studiuesi Bashkim Kuçuku vuri në dukje përballjet e poetit me censurën dhe përkushtimin e tij ndaj artit:
Ndëshkimet e herëpashershme që kanë rënë mbi Xhevahir Spahiun kanë ardhur ose sepse ka tejkaluar lirinë e kufizuar të censurës me poezinë e tij, ose sepse ka shkelur ca rregulla duke ndihmuar ata që institucionet nuk donin të ndihmoheshin.
Ndërsa studiuesi Behar Gjoka e krahasoi me poetin rus Evgeni Jetushenko, duke theksuar rëndësinë e tij në poezinë shqipe:
Gjithë përqendrimi i tij ka qenë te poezia dhe nuk e di pse mu kujtua Jetushenko. Xhevo, në këtë kuptim, është një nga të fundit poetë të lirikës shqipe, i cili duhet të hipotekohet si vlerë shpirtërore. Është poet i së djeshmes, i së sotmes dhe më përtej. Mjafton poezia ‘Borxhet e mia’ për ta pasur në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe dhe përtej saj.
Ekspozita u bë një reflektim mbi veprën dhe jetën e një poeti që ka ndikuar fuqishëm në letërsinë shqipe, duke lënë pas një trashëgimi që mbetet e gjallë për brezat që vijnë.
Burimi