Shkenca sugjeron që universi nuk duhet të ekzistojë

Universi i hershëm mbetet një mister i thellë. Ne nuk mund ta vëzhgojmë drejtpërdrejt, kështu që shkencëtarët bashkojnë historinë e tij përmes jehonës dhe sinjaleve të zbehta. Por hulumtimet e fundit sugjerojnë se të kuptuarit tonë mund të jetë tejet i gabuar. Një studim, që së shpejti do të botohet në “Physical Letters B”, sfidon modelet ekzistuese dhe ngre një mundësi befasuese: universi, siç e njohim ne, nuk duhet të ekzistojë.
Zbulimi i bozonit të Higsit në vitin 2012 ishte një pikë referimi në fizikë. Ai konfirmoi ekzistencën e fushës së Higsit, e cila u jep objekteve masën e tyre. Pa këtë fushë, asgjë nuk do të ekzistonte. Megjithatë, kjo fushë vendimtare mund të mos jetë në gjendjen e saj energjetike më të ulët të mundshme, që do të thotë se mund të ndryshojë teorikisht, me pasoja katastrofike për ligjet e fizikës. Nëse fusha e Higsit bie në një gjendje energjie më të ulët, ajo mund të krijojë “flluska” të hapësirës me ligje të ndryshme fizike, duke fshirë në mënyrë efektive gjithçka në univers.
Për fat të mirë, kjo nuk ka ndodhur. Megjithatë, sipas studimit, duhet të ketë. Fajtori? Vrimat e zeza primordiale. Këto objekte hipotetike, të formuara menjëherë pas Big Bengut, ishin të vegjël, por tepër të dendur. Studiuesit argumentojnë se nëse këto vrima të zeza do të ekzistonin, ato do të kishin prishur fushën e Higsit, duke bërë që ajo të destabilizonte dhe asgjësonte universin para se të fillonte.
Pra, pse jemi ende këtu? Studimi ofron dy mundësi. Ose modelet tona janë të gabuara dhe vrimat e zeza primordiale nuk kanë ekzistuar kurrë, ose ka diçka në lidhje me fushën e Higsit që nuk e kuptojmë ende. Kjo mund të tregojë për fizikë të panjohur – ligje, forca ose grimca që nuk janë zbuluar ende.
Ky hulumtim nxjerr në pah natyrën gjithnjë në zhvillim të shkencës. Kuptimi ynë për universin vazhdimisht vihet në dyshim dhe rafinohet, duke zbuluar mistere të reja dhe duke sfiduar supozimet e vjetra. Kërkimi për dije nuk ka mbaruar dhe kush e di se çfarë zbulimesh novatore janë përpara?/Popular Mechanics – Syri.net
Burimi