Mungesë ekuilibri në programet e shkëmbimit të studentëve kinezë dhe atyre amerikanë

Me fillimin e vitit të ri shkollor, disa studentë po zgjedhin të studiojnë jashtë vendit për të fituar përvojë në një kulturë të re. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Michaelson, disa studentë amerikanë po studiojnë në Kinë, por ky numër është shumë më i vogël se ai i studentëve kinezë që ndjekin studimet në universitetet amerikane.
Studimi në Kinë ishte një përvojë e paharrueshme për amerikanen Maya Altschuler. Disa nga përvojat e saj ishin të mira dhe disa të pakëndshme.
“Të gjithë i kthenin sytë nga ne, studentët amerikanë”, thotë ajo.
Paralajmërimet për kujdes gjatë udhëtimeve në Kinë dhe në përgjithësi tensionet mes Pekinit dhe Uashingtonit, nuk e penguan Majën të bëhej një nga vetëm 700 studentët amerikanë që studionin në Kinë vitin e kaluar.
Në kontrast, rreth 290,000 kinezë studiuan në universitetet amerikane në vitin 2023, duke i bërë ata grupin më të madh të studentëve ndërkombëtarë në Shetet e Bashkuara, sipas Departamentit të Shtetit, i cili lëshon viza studentore. Ky shkëmbim i pabarabartë i studentëve është problematik, thotë analisti i marrëdhënieve SHBA-Kinë, Ali Wyne.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre marrëdhënieve dypalëshe për botën, kemi nevojë për një nivel më të lartë të shkëmbimit të studentëve, sepse kjo do të thellonte komunikimin dhe kuptimin në nivelin kulturor dhe gjuhësor mes qytetarëve të dy vendeve”, thotë ai.
Në vend që të zgjedhin Kinën, shumica e studentëve amerikanë po zgjedhin të studiojnë në destinacione më të ngjashme nga pikëpamja kulturore, një prirje e reflektuar edhe në Kolegjin Wellesley.
“Pas pandemisë kemi parë se studentët tanë janë më të kufizuar për sa i përket zgjedhjes së vendeve, ku duan të udhëtojnë. Pra, ne po shohim një rritje të numrit të studentëve që regjistrohen në programet në Britani, në veçanti. Ndoshta ndër programet më popullore janë ato në Oksford, të pasuara nga ato në Danimarkë”, thotë Jeniffer Thomas-Stark, drejtore për programet ndërkombëtare të studimit në Kolegjin Wellesley.
Ndryshe nga homologët e saj amerikanë, studentja kineze Raven Wang, mori vendimin për të studiuar në një vend me një kulturalë të ndryshme. Tani në vitin e tretë si studente e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin George Washington, ajo thotë se arsimimi i saj në Shtetet e Bashkuara e ekspozoi atë ndaj perspektivave të reja, ndryshe nga ajo që po mësojnë shoqet e saj në Kinë.
“Ata thonë se po mësojnë më së shumti për socializmin, marksizmin apo teori të tjera të ngjashme. Por këtu, ne mësojmë edhe për demokracinë, kapitalizmin dhe profesorët përpiqen të bëjnë çmos që të jenë të paanshëm me ne”, thotë studentja kineze Raven Wang.
Studentja amerikane Altschuler thotë se përvoja e saj në Kinë sfidoi disa paragjykime të saj.
“Para se të shkoja në Kinë, mendoja se Kina ishte një rajon ku nuk hynte informacioni dhe njerëzit ushqeheshin me propaganda të ndryshme dhe në përgjithësi ishin shumë të shtypur, gjë që në një farë mase është e vërtetë. Por, pas studimeve në Kinë dhe përvojës sime atje, mësova se shumë gjëra kishin ndryshuar. Nuk ishte ashtu siç e mendoja para se të shkoja atje.”
Studentja amerikane Maya Altschuler shpreson të kthehet në Kinë në të ardhmen, ndërsa homologia e saj kineze Raven Wang thotë se ka në plan të punojë në Amerikë pas diplomimit./ VOA/ 
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente