Dita e Poezisë, lajmësi i ardhjes së pranverës, fjala e shpirtit që i pëshpërit në vesh natyrës zgjimin!

Dita e Poezisë, lajmësi i ardhjes së pranverës, fjala e shpirtit që i pëshpërit në vesh natyrës zgjimin!

Edhe pse vetë fjala ishte e para, tingëllimi shprehës i komunikimit që zuri fill për të ligjëruar përmes vargëzimit, si e para thirrje që u rrëzua nga gjuha e qenies, për t’u ngjitur në qiellin e pafundmë të mrekullimit si shprehje e zëshmërisë që njeriu i dha botës; edhe pse në rrasa guri, në pllaka argjile, në papiruse e pergamena, njeriu shkroi duke vargëzuar, institucionet pritën vitin 1999 për ta shpallur 21 Marsin si Dita Ndërkombëtare e Poezisë.

Megjithatë, fjalës, metaforës, vargut, rimës, poezisë, poetit, këndimit shpirtëror, nuk ju bë vonë. Ata vijuan të ligjërojnë me zë zemre e vullnet shpirti, duke dëshmua, se është jo vetëm paraprijës i formës që i dha njeriu botës përmes lëndës ndijore, por edhe lartësimi ku pasioni e ngjiti fjalën.

Gjithëpoaq UNESCO, mes shumë kushtimeve ia dedikoi poezisë 21 Marsin, me qëllimin për të promovuar leximin, shkrimin, botimin dhe mësimin e poezisë në të gjithë botën. Kjo datë u zgjodh për disa arsye simbolike dhe praktike, që shënon ekuinoksin pranveror në hemisferën veriore, një moment simbolik i rilindjes, harmonisë dhe bukurisë, vlera që poezia i mishëron në mënyrë të përsosur.

Poezia është një nga format më të vjetra dhe më të fuqishme të shprehjes artistike, e cila ka ndihmuar njerëzit të kuptojnë realitetin, të shprehin ndjenjat dhe të ruajnë trashëgiminë kulturore, t’i japin zë një realiteti që del nga shpirti dhe reflekton në çdoditshmëri, përcillet në zakonshmëri dhe hymnizohet në të gjithë trajtat shprehëse krijuese.

Poezia shërben si një mjet për të mbajtur gjallë gjuhët e rrezikuara duke e pasuruar atë me një leksik ndjenjash, dhe për të inkurajuar dialogun midis kulturave, si një thirrje që vjen nga kohërat, qyshkur njeriu e skaliti në gurë këngën e shpirtit, e stolisi në pergamena.

Me fjalë si bojë dhe emocione si telajo, vargjet gjallërohen, duke pikturuar histori të zemrës dhe shpirtit, në një simfoni shprehjeje.

Poezia mund të ndryshojë mënyrën se si njerëzit e shohin botën, të frymëzojë të tjerët dhe të përmirësojë lidhjet midis njerëzve dhe të krijojë harmoni me njëri-tjetrin.

Megjithatë, poezia për shumë mund të konsiderohet si një art që vdes në një botë të mbushur me teknologji dhe mënyra më të avancuara për të përcjellë mesazhe të artit dhe bukurisë.

Po çfarë është poezia për një poet?

Poezi, më e epërmja epje marroke. Trilli i një zemre që ritmon në shpengimin idilik të një çasti pror. Frymëmerr në çdo grimcë që puhiza e ndrojtur e një rrëmbimi e hedh tej, tej në honin e jehonave ku mbrun krahët e qiellit. Shndërron gjithçka në zë zemre. Poezi ti je me e njimendta që mishëron hyjnoren, në kurmin e asaj qenie të brishtë dhe mëkatare. Në këtë cak mbamendjeje, për këta shenjtor të fjalës dhe të virtytit, të qiellores tokësore, beh, me një urim dhe përunje të dlirët të zanafilluar në veten teme ma të kthjellët, më të papërlyme, ma të dlirë, në veten teme që flet me mu, atëherë kur gjithçka përreth zë dhe hesht, kur krejtçka më ka vënë përfundi e m’zatet babzishëm.

Poetët nuk janë njerëz të jashtëzakontë, jo. Ata janë secili prej nesh. Poezia gëlon në çdo shpirt. Vetë jeta është një poezi. Sa herë që rrekemi të dëgjojmë tjetërçka ngase e përmbyt ëndjen tonë kureshtare, dhe josh afrinë me dëgjimin, ne ndjejmë se diçka po ndodh brenda nesh. Zëri që na pëshpërin është ajo vetvete që ka kapërcyer pragun e është kredhur në brendinë tonë dhe ashtu e dehur nga hapësira, e etur nga drita, e dalldisur nga ngjyrat, lëshohet turraz në atë botë që struket brenda nesh, si një fëmij i ndrojtur. Lule më lule e hedh hovin, ledh më lëdh përhidhet si shkrepëtim dritë. Rend me vrap e fluturon nëpër krejt qiejt e shfrimeve poetike, për me sjell prej andej, cicërima zogjsh, shamatime resh, gufime zemëratash e lëngime të amështa të syve që u fiken në epjen eterne të përmallimit. Afshet ma gurgulluese të mishit në prekjet përfytyruese dritash të perëndishme mëton. Poet, ti njeri me Zotin përbri, fenë e shpirtit predikon, të vërtetën që përmes ngadhnimesh kacarritet për të ardh, me ty, te ti. Më delikatet ndjesi shkakton prej gjendjeve zotëruese, prej netëve që kurmi prehet në andrra me kryet vënë në gur.
Burimi